Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg

15 Mars, 2013

Prishtinë, 15 mars 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në një takim nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Norvegjisë, thellimin e këtyre marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët, si dhe mbështeten e Norvegjisë për Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Kryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij norvegjez lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun që po zhvillohet në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ne jemi të përkushtuar në arritjen e një marrëveshje, në kuadër të Kushtetutës dhe kornizës ligjore të Kosovës, me të cilën përfundimisht do të tejkalohen armiqësitë dhe do të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë, gjë që do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka kërkuar përkrahjen e kryeministrit norvegjez, në mënyrë që Kosova të përfshihen në Korridorin jugor të gaz përçuesit Trans Adriatik, apo siç njihet “Trans Adriatic Pipeline” ose “TAP”, duke pas parasysh që shteti norvegjez është njëri nga aksionarët më të mëdhenj.

Përfshirja e Kosovës në këtë rrjet, potencoi kryeministri Thaçi, do të kishte ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Nga ana e tij, kryeministri i Norvegjisë, Stoltenberg e cilësoi Kryeministrin Thaçi si një mik te ngushtë te shtetit Norvegjez si dhe theksoi përkrahjen e Qeverisë Norvegjeze për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Stoltenberg po ashtu premtoi mbështetje të plotë të Norvegjisë në njohjet e mëtutjeshme për Republikën e Kosovës dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Last modified: 14 Maj, 2022

Comments are closed.