Prishtinë, 24 prill 2008
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë dhe lider i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, kanë vlerësuar lartë ftesën për anëtarësim të Shqipërisë në NATO. Kryeministri Thaçi dhe kryetari i PR-së Mehdiu kanë potencuar rëndësinë që paraqet ftesa për anëtarësim në NATO për paqen, sigurinë dhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të rajonit.
“Ky ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, i gjithë politikës shqiptare, i qytetarëve të Shqipërisë, por edhe një sukses për paqen dhe për stabilitetin e rajonit “ është shprehur kryeministri Hashim Thaçi, lidhur me ftesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
Kryeministri ka shprehur bindjen edhe për thellimin e bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë.
“Do të kemi një bashkëpunim shumë të përgjegjshëm, shumëdimensional dhe shumë rezultativ”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Duke përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi për detyrën e tij të kryeministrit dhe për pavarësinë e Kosovës, ish-ministri shqiptar dhe lideri i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, theksoi:
“Unë kam bindjen e plotë se nën lidershipin e z.Thaçi, Qeveria e Kosovës do të bëjë punë shumë të mira për qytetarët e Kosovës, por do të hapë edhe mundësi të reja për zhvillimin e bashkëpunimit reciprok të Kosovës me Shqipërinë”.
Në takim janë vlerësuar potencialet e shumta të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe është vënë theks i veçantë në rëndësinë e koordinimit të këtij bashkëpunimi.
Kryeministri Thaçi dhe z.Mediu, janë shprehur të gatshëm që të jenë kontribuues dhe mbështetës të të gjitha zhvillimeve pozitive në procesin e bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Last modified: 24 Prill, 2008