Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zanieri

30 Korrik, 2008

Prishtinë, 30 korrik 2008
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar takimin e rregullt të punës me shefin e UNMIK-ut, Lambreto Zanieri, në të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon.
 
Në takim, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar rolin e ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe në këtë drejtim edhe z.Lamberto Zanieri si përfaqësues i OKB-së është në funksion të realizimit të tranzicionit dhe ndihmës për institucionet e Kosovës.
 
“Ne kemi një bashkëpunim të mirë. Institucionet e Kosovës kanë ftuar dhe mirëpritur rolin e ri të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe mendoj se do të vazhdojmë me bashkëpunimin dhe vlerësimin e punës së kësaj administrate” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
 
Duke vlerësuar angazhimet e fundit të z.Zanieri në drejtim të afirmimit të pozitës dhe rolit të komuniteteve minoritare në Kosovë, kryeministri ka theksuar se këto angazhime janë prioritet tona të përbashkëta dhe ndërlidhen drejtpërdrejt edhe me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
 
“Natyrisht, përkushtimi ynë është që të kemi një autoritet edhe më të madh, në veçanti të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Kështu që, ne jemi duke punuar bashkërisht në prioritet të përbashkëta dhe suksesi nuk do të mungojë” është shprehur kryeministri Thaçi.
 
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri ka njoftuar kryeministrin me një varg aktivitetesh të tij gjatë ditëve të fundit. Në veçanti ai ka njohur kryeministrin me diskutimet në Këshillin e Sigurimit gjatë javës së kaluar për gjendjen dhe zhvillimet në Kosovë dhe në këtë kuadër edhe për vizionin e tij për rolin e ardhshëm të UNMIK-ut në Kosovë.
 
Z.Lamberto Zanieri ka njohur kryeministrin edhe për vizitën e tij ne Beograd gjatë javës së kaluar, dhe për takimet dhe diskutimet e zhvilluara me zyrtarët e lartë të qeverisë serbe në Beograd. 

Last modified: 30 Korrik, 2008

Comments are closed.

×