Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dorëzon pasaportën e parë të Republikës së Kosovës

30 Korrik, 2008

Prishtinë, 30 korrik 2008
 
Në një solemnitet të rastit, kryeministri Hashim Thaçi i ka dorëzuar pasaportën e parë të Republikës së Kosovës, qytetares Teuta Begolli. Në këtë rast, kryeministri ka vlerësuar se kjo është një ditë historike dhe një etapë e re për vendin tonë. Në ceremoninë e organizuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë marr pjesë edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
 
            “Kjo është një ditë historike, etapë e re për Kosovën. Prej sot, qytetarët e kanë identitetin e vet. Ai është qytetar, shtetas i Republikës së Kosovës për të cilën kemi sakrifikuar me vite”, është shprehur kryeministri Thaçi, duke shtuar se identiteti shtetëror do të avancohet dhe formësohet në rrugën e sigurt për integrime në NATO dhe BE.
 
            Pasaportat do të dëshmojnë identitetin shtetërorë të qytetarëve të Kosovës, ndërsa pajisja e qytetarëve me këtë dokument është edhe një dëshmi e rrugës dhe angazhimit për ndërtimin e shtetit, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka vazhduar: “Po e kompletojmë plotësisht ndërtimin e shtetit tonë. Sot fillon një etapë e re e shkëputjes përfundimtare nga identitetet tjera që kanë pasur qytetarët tanë. Nga sot e tutje, qytetari i Kosovës, shtetasi i Kosovës, e ka identitetin e vet shtetëror, ai është qytetar shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilën kemi sakrifikuar me vite”.   
 

            Qytetarët që janë pajisur me pasaportat e reja të Republikës së Kosovës, janë shprehur të lumtur për faktin se ata janë bartësit e parë të dokumentit që dëshmon identitetin e tyre shtetërorë.

Last modified: 30 Korrik, 2008

Comments are closed.

×