Prishtinë, 26 prill 2008
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, z. Hashim Thaçi i shoqëruar nga ministri i MTT , z. Fatmir Limaj ka vizituar sot aksin rrugor në zgjerim Prishtinë – Fushë Kosovë.
“Jam sot këtu për të inkurajuar dhe mbështetur këtë punë të madhe që është duke u bërë në zgjerimin dhe ndërtimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Fushë Kosovë – Sllatinë – Komoran dhe në drejtim të Pejës”, theksoi kryeministri Thaçi
“Kjo është edhe një ditë e veçantë, sepse sot është bërë edhe shpallja e ofertës për ndërtimin e autorrugës me interes nacional shtetëror dhe ndërkombëtar Vërmicë – Prishtinë – Merdare . Kjo rrugë do të fillojë së ndërtuari këtë vit . Kosova tash dy muaj pas shpalljes së pavarësisë ka filluar me intensitet shumë të lartë të punës. Të një pune që po shihet në teren e cila është në të mirë të zhvillimit të vendit dhe në interes të qytetarëve”, tha mes tjerash kryeministri Thaçi , duke nënvizura se ky është vetëm fillimi, sepse, qeveria do të vazhdojë me investime të fuqishme edhe me donatorët, në mënyrë që Kosova të jetë një vend i zhvilluar modern dhe i mundësive të mëdha, e cila, në të ardhmen do të jetë pjesë e merituar e NATO-s dhe BE-së.
Ndërsa ministri Fatmir Limaj tha se kështu po realizohen prioritet që ka përcaktuar qeveria. Këto objektiva të parapara do të realizohen me kohë. “Asgjë nuk do të na pengon për realizimin e veprave të mëdha për vendin” ka thënë z. Limaj . Ai tha se ky aks rrugor do të përfundojë në korrik, kur edhe pritet që kryeministri ta pres shiritin e përurimit.
Last modified: 26 Prill, 2008