Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, z.Hashim Thaçi: Kosova po ndërtohet si një vend multietnik, i mundësive të barabarta dhe afirmative për minoritarët, para së gjithash për serbët

26 Mars, 2008

Prishtinë,  26 mars 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, z.Hashim Thaçi, priti një delegacion të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga z. Graham Watson. Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka njohur parlamentarët evropianë me angazhimin e Qeverisë së Kosovës për t’i përballuar me sukses sfidat e realitetit aktual, që janë sfidat e përgjegjësisë për zhvillimin ekonomik, implementimin e reformave në ekonomi, politikë dhe në legjislacion, si dhe përgjegjësinë e Prishtinës zyrtare për të ndërtuar bashkëpunim të mirë me të gjithë fqinjët.
 
“Kosova ka krijuar një ambient të paqes dhe stabilitetit, por edhe të bashkëpunimit në rajonin tonë, por në të njëjtën kohë institucionet e Kosovës janë duke punuar maksimalisht në kuadër të kushteve dhe rrethanave ekzistuese, për të afruar sa më tepër Kosovën drejt integrimit në strukturat e NATO-së edhe të Bashkimit Evropian”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
 
Kryeministri ka shprehur gjithashtu angazhimin e institucioneve në ndërtimin e një ambienti demokratik, qeverisjeje demokratike, efektive dhe multietnike. Kosova po ndërtohet si një vend multietnik, i mundësive të barabarta dhe afirmative për minoritarët, para së gjithash për serbët.

Kryeministri ka ritheksuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar ndërkombëtarisht integritetin territorial të shtetit të Kosovës, që në të ardhmen do të ndërtojë raporte të mira edhe me Serbinë, si dy vende fqinje dhe të pavarura.
 
Në emër të delegacionit të Parlamentit Evropian, z.Graham Watson, ka shprehur angazhimin e vazhdueshëm të europarlamentarëve për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës.
 
Parlamentarët evropianë janë shprehur se do të angazhohen për mbështetjen e Kosovës në proceset e integrimit në Bashkimin. Z.Graham Watson është shprehur se angazhimet tona për Kosovën do të vazhdojnë në mbështetjen e proceseve të integrimeve euroatlantike dhe për liberalizimin e dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës, për të lëvizur në shtetet e Bashkimit Evropian.
 

Last modified: 26 Mars, 2008

Comments are closed.

×