Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Per Stig Moller

1 Korrik, 2008

Prishtinë, 1 korrik 2008
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Per Stig Moller, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet aktuale dhe për bashkëpunimin dypalësh. Danimarka njihet si një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë  e Kosovës dhe vazhdimisht ka qenë prezente me përkrahjen e saj diplomatike, ushtarake dhe humanitare për Kosovën.

Duke vlerësuar lart mbështetjen e Danimarkës, kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar qeverinë daneze për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajon: “Unë besoj se ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me bashkëpunimin tonë bilateral, në kuadër të mbështetjes së vizionit të Kosovës për perspektivë të sigurt të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi e informoi ministrin danez për angazhimet e Qeverisë së Kosovës në instalimin e qeverisjes së mirë dhe të sundimit të ligjit, për respektimin dhe afirmimin e pozitës së minoriteteve në Kosovë si dhe për integrimin e tyre.

Duke vlerësuar rëndësinë ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet e rajonit. ”Kemi raporte të shkëlqyeshme me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe me Malin e Zi. Ne duam që të ndërtojmë raporte të mira, në të ardhmen e afërt, edhe me Serbinë”, theksoi kryeministri, duke shtuar se kjo është me rëndësi edhe për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.

Ministri  i Punëve të Jashtme të Danimarkës, Per Stig Moller, është shprehur i kënaqur për takimin me kryeministrin Hashim Thaçi, duke nënvizuar se Danimarka është nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke e trajtuar si një rast të veçantë të ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur njerëzit, dhe për t’u siguruar mundësinë që ata të jetojnë në paqe.

Ministri danez ka shprehur kënaqësinë për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, dhe ka garantuar angazhimin e Qeverisë së Danimarkës për  t’i mbështetur  zhvillimet pozitive në Kosovë 

Last modified: 1 Korrik, 2008

Comments are closed.

×