Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, qëndroi në familjen Sllavkoviq në Rubovc të Lipjanit

5 Shkurt, 2008

Prishtinë , 5 shkurt 2008

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri për Kthim dhe Komunitete, Boban Stankoviq, si dhe nga disa ministra të kabinetit qeveritar, ka vizituar sot fshatin Rubovc të Komunës së Lipjanit, në të cilin jeton një popullatë e përzier etnike.

Gjatë kësaj vizite në këtë fshat kryeministri Thaçi ka qëndruar në familjen e Sllavisha Sllavkoviqit, ku është interesuar për gjendjen e kësaj familjeje dhe të banorëve të tjerë serbë të Rubovcit, me ç’rast familjes Sllavkoviq i ka premtuar si ndihmë një traktor dhe përmirësimin e kushteve të banimit. 

Z. Thaçi duke falënderuar këtë familje për mikpritjen, ka thënë se Qeveria e Kosovës është adresa e vetme e zgjidhjes së problemeve dhe se ai do të mbetet i përkushtuar që të punojë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, duke shtuar më tej se Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë nacionale. “Unë do të jem pranë të gjithë qytetarët pa dallim për të mirën e vendit tonë, të Kosovës tolerante, demokratike dhe të integruar më vonë edhe në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri u ka bërë thirrje të gjithë të zhvendosurve në Serbi dhe Mal të Zi që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre në Kosovë. “Kosova është vendi i të gjithëve, në të cilin do të punojmë të gjithë bashkërisht dhe duhet të fokusohemi për të ardhmen dhe assesi të mos mbetemi peng i së kaluarës sonë të hidhur. Kosova po ndërton rendin demokratik, tolerancën ndëretnike me synime të qarta dhe për zhvillim ekonomik”, ka thënë mes tjerash kryeministri Thaçi gjatë vizitës në Rubovc të Komunës së Lipjanit. 

Last modified: 5 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×