1 shkurt 2008
Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeadministratori Jaochim Ruecker kanë biseduar sot në takimin e rregullt javor për përgatitjet rreth përfundimit të zgjidhjes së statusit final të Kosovës dhe për koordinimin e punës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut.
Kryeministri Thaçi është shprehur se Qeveria e Kosovës ka marrë përgjegjësitë dhe zotimet e veta në ketë proces madhor, duke shtuar se Kosova tashmë është gati për status. Kryeministri ka theksuar se ka përfunduar edhe hartimi i draftit të parë të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa sot ka filluar punën edhe grupi që do të bëjë përzgjedhjen e simboleve shtetërore.
Kryeministri dhe kryeadministratori i Kosovës kanë diskutuar edhe për tranzicionin dhe bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës, UNMIK-ut dhe KFOR-it, me qëllim që autoriteti i institucioneve legjitime të Kosovës dhe administratës civile ndërkombëtare të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.
Z.Thaçi është shprehur se do të punohet maksimalisht edhe gjatë këtyre ditëve të mbetura deri në marrjen e vendimit për statusin, në mënyrë që të realizohen punët e përbashkëta me sukses të plotë.
Z.Ruecker ka vlerësuar lart angazhimin e shtuar të Qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut për të koordinuar aktivitetet dhe agjendën e angazhimeve të përbashkëta institucionale.
Po kështu kreu i Qeverisë së Kosovës dhe kreu i UNMIK-ut janë pajtuar që të punohet bashkërisht në garantimin e të drejtave dhe integrimin e minoritarëve në kuadër të institucioneve të vendit.
Last modified: 1 Shkurt, 2008