Prishtinë, 8 mars 2021
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti mori pjesë në aktivitetin “Shënimi i 8 Marsit- Dita Ndërkombëtare e Gruas”, me ç’rast u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të Grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike 2021 – Masa 4, Faza e dytë.
Me këtë rast, duke i uruar të gjitha gratë për 8 Marsin, kryeministri Hoti tha se më shumë se sa festë është ditë që ne të gjithë pa përjashtim shprehim mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin e grave në shoqëri, ekonomi dhe përgjithësisht në zhvillimin social të vendit, mbi të gjitha në stabilitetin e shoqërisë, familjes dhe të shtetit në çdo aspekt.
Kryeministri Hoti nënvizoi se gjatë vitit 2020 Qeveria ka punuar shumë që të integrojë perspektivën gjinore në masa të rimëkëmbjes ekonomike, duke ndarë 2 milionë euro, prej të cilave 1 milion euro kryesisht për institucionet e arsimit parashkollor ku kanë përfituar 115 institucione parashkollore në nivel vendi.
Fjala e plotë e kryeministrit Hoti:
Më lejoni të ju uroj 8 marsin Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Festën e gruas e cila që më shumë se sa festë është ditë që ne të gjithë pa përjashtim shprehim mirënjohjen, vlerësimin, për kontributin e grave edhe në shoqëri edhe në ekonomi dhe përgjithësisht në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, mbi të gjitha në stabilitetin e shoqërisë, familjes dhe të shtetit në çdo aspekt.
Jemi përballur me një situatë të vështirë të pandemisë, tash e një vit dhe kemi pa që këto normat tona të kufizuara, jo vetëm tek ne sepse nuk janë të kufizuara vetëm tek ne, ndikojnë jo proporcionalisht në jetën e grave dhe të vajzave duke i ngarkuar ato me barrën e kujdesit ndaj familjes, ndaj fëmijëve ndaj personave të moshuar, personave me nevoja të veçanta në përgjithësi.
Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm që nganjëherë mund të duket se po shkon në një mënyrë të pavërejtshme për ata që i marrin këto shërbime si brenda familjes, shoqërisë dhe personat që preken nga këto shërbime, besoj që e kanë vlerësimin më të lartë për punën që bëjnë. Është fakt që pandemia ka ndikuar joproporcionalisht në jetën profesionale të grave duke i ngarkuar ato edhe në mënyrën e sigurimit të të ardhurave për biznesin, për ekonominë për familjen, sepse pandemia ka ndikuar kryesisht tek bizneset e vogla dhe të mesme ku gratë janë të fokusuara në këto biznese dhe rrjedhimisht kanë pësuar ndoshta më shumë nga kjo pandemi dhe kjo ka qenë arsyeja që në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore ne kemi arritur që të vlerësojmë prioritetet si qeveri në kuadër të kapaciteteve për të mbështetur ekonominë. Kemi vlerësuar që duhet të kemi masa të veçanta vetëm për gratë në biznes që të targetojmë grupe të caktuara të popullsisë, në këtë rast të grave që janë në biznes, ju e dini që gjatë vitit 2020 kemi punuar bukur shumë që të integrojmë perspektivën gjinore në masa të rimëkëmbjes ekonomike, atëherë patëm ndarë 2 milionë euro prej të cilave 1 milion e patëm shpërndarë kryesisht për institucionet e arsimit parashkollor ku kanë përfituar 115 institucione parashkollore në nivel vendi.
Dhe kjo mbështetje besoj nuk ka qenë e rëndësishme vetëm për funksionimin normal të këtyre institucioneve parashkollore, por ka qenë e rëndësishme sepse ne kemi siguruar përmes kësaj mase vazhdimësinë e edukimit të vazhdueshëm parashkollor për 6 mijë e 938 fëmijë dhe u kemi mundësuar familjeve të atyre fëmijëve që të mos shkëputen nga puna e përditshme që bëjnë.
Në anën tjetër përveç kësaj mase, institucionet tjera kanë ndihmuar gratë në biznes. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndarë 400 mijë euro për rreth 30 biznese të udhëhequra nga gratë. Kemi dizajnuar masa më specifike përmes vendimeve ekzekutive të qeverisë. Në fund të vitit të kaluar me organizim të Agjencisë për Barazi Gjinore, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne kemi ndarë mjete financiare për 10 strehimore që janë të licencuara e që ofrojnë mbrojtje specifike për qytetarët e Kosovës, me orientimin tonë që tash këto strehimore të bëhen pjesë e planifikimit të rregullt të institucioneve të qeverisë, jo vetëm përmes financimit “ad hoc” , por duke i bërë pjesë të planifikimit të rregullt buxhetor.
Unë besoj se kjo do të vazhdojë edhe më tutje pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin, që të fuqizojmë gratë në ekonomi, që të rrisim pavarësinë financiare dhe ekonomike të grave dhe ta eliminojmë plotësisht dukurinë negative, që është dhuna ndaj grave në familje dhe në shoqëri.
Sivjet përmes Agjencisë kemi punuar shumë gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Kemi dizajnuar atë që njihet si Masa 4 në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë. Masa që kemi paraparë prej 1 milion euro është targetuar të shkojë në dy drejtime, përmes ndihmës direkte financiare për biznese të vogla dhe iniciativa të ndryshme individuale që ndikojnë drejtpërdrejtë në biznesin e grave dhe në organizata tjera joqeveritare.
Ne, sot nënshkruajmë disa prej aplikimeve që janë bërë, unë pres që Agjencia në ditët e ardhshme të përmbyllë krejt procesin duke i shpallë publikisht përfituesit e fazës tjetër, fazës së dytë dhe duke i nënshkruar kontratat me përfituesit nga kjo skemë, nga kjo masë.
Unë besoj që gjatë qeverisjes tonë kemi dhënë evidencë të mirë, kemi vendosur një standard që duhet të mirëmbahet më tutje, të integrimit të politikave gjinore, të gjithë politikat pa përjashtim, të zbatimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, që është në përputhje më Ligjin për Barazi Gjinore dhe në respektim të synimeve të mijëvjeçarit.
Mua më vjen shumë mirë që e përmbyllim këtë program sot edhe me një informatë të mirë në bazë të evidencës që ka nxjerrë Agjencia për Barazi Gjinore, ku sipas të dhënave të sistemit të Kombeve të Bashkuara që quhet “Gjurmuesi Global Gjinor në kundërpërgjigje ndaj COVID-it”, Kosova është në mesin e 15 vendeve që kishte masa për sigurimin ekonomik të grave gjatë kohës së pandemisë, krahas shteteve më të zhvilluara të botës siç është: Kanadaja, Belgjika, Italia, Sllovenia, SHBA-të dhe disa prej vendeve në regjion.
Unë i përgëzoj përfituesit dhe pres që të përmbyllet i gjithë procesi në ditët e ardhshme.
Faleminderit!
Last modified: 8 Mars, 2021