Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi vazhdon vizitën e tij në Shqipëri

20 Qershor, 2008

20 qershor 2008
 
Ditën e dytë të vizitës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vazhduar me takimin me kryebashkiakun e Tiranës dhe liderin socialist Edi Rama. Pastaj ka vazhduar vizitën në Durrës, Kavajë dhe Vlorë.

Në një takim të veçantë, kryeministri Hashim Thaqi me kryetarin e Bashkis së Tiranës, ka pranuar simbolin e mikpritjes të qytetit të Tiranës, “Çelësi i Tiranës.

“Për mua është një kënaqësi dhe një nder. Unë jam mirënjohës në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e dua të veçojë po ashtu se ashtu siç e keni ndryshuar Tiranën, do ta ndryshoni për të mirë të gjithë Shqipërinë. Ishte kënaqësi të bashkëbisedonim me njeriun e ndryshimeve aktuale dhe model për ndryshimet në gjithë rajonin tonë. Kështu urime, suksese, përgëzime”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi në rastin e pranimit të “Çelësit të Tiranës”.

            Pas takimit me Kryetarin e bashkise se Tiranes, Edi Rama, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i shoqëruar me homologun Sali Berisha ka udhëtuar drejt Durrësit. Ne zonën e plazhit të Durrësit bashkë me kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako kanë përuruar pllakën me mbishkrimin “Pavarësia”. Në këtë akt ka marr pjesë edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha.

            Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se të gjithë shqiptarët ndjehen krenar, kudo që janë, me  pagëzimin “Pavarësia” të rrugës që të çon në një prej zonave bregdetare më të njohura shqiptare.

            “Bregdeti i bukur shqiptar ka qenë i frekuentuar dhe do të jetë edhe më i frekuentuar këtej e tutje nga qytetarët e Kosovës, para së gjithash, kur tashmë nuk ka nevojë për dokumente udhëtimi që do ta komplikonin lëvizjen. Nga ana tjetër, porti i Durrësit është një pikë kyçe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe rajonit,” u shpreh Kryeministri Thaçi.

            “Vazhdimi me intensitet të jashtëzakonshëm të punës për përfundimin sa më shpejt të mundshëm të autorrugës Durrës-Kukës-Morinë është një vepër kulmore. Zoti Kryeministër i Shqipërisë Sali Berisha, kombi do t’ju jetë mirënjohës përgjithmonë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Por edhe ne zotohemi se do të vazhdojmë me autorrugën Prishtinë-Vërmicë-Merdare, punimet e së cilës do të fillojnë këtë vit,” u shpreh Kryeministri Thaçi.

            Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka vazhduar vizitën e tij drejt qytetit te Kavajës për te vizituar familjen e Indrit Cares, dëshmor ne Luftën e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës.  Fillimisht, kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga kryeministri shqiptarë, Sali Berisha dhe nga shumë qytetarë të shumtë Kavajas, ka bërë homazhe te busti i vendosur në qendër të qytetit në kujtim dhe nderim të veprës së Indrit Carës.

            Kryeministri Thaçi u shpreh se vizitonte familjen Cara për t’i uruar pavarësinë e Kosovës dhe për t’i shprehu familjarëve të Indrit mirënjohjen dhe respektin për veprën e djalit të tyre, i cili, theksoi, ai la Londrën ku jetonte, për të dhënë jetën në istikamet e luftës në Kosovë.

            Familjarët e dëshmorit Indrit Cara falënderuan për vizitën, duke e konsideruar atë si vlerësim dhe nderim që i bëhet ëndrrës së djalit të tyre, për Kosovën e pavarur.
 
Në mbyllje të vizitës në Shqipëri, Kryeministri I Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi ka qëndruar në Qytetin e Vlorës. Z. Thaçi është pritur nga kryetari i Bashkisë, z. Shpetim Gjika. Bashki e Vlorës në një ceremoni rasti ka shpallur Qytetar Nderi të Vlorës, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. 
 
Kryeministri Thaçi gjithashtu ka vënë kurorë  lulesh te Monumenti i  Pavarësisë.  

Last modified: 20 Qershor, 2008

Comments are closed.

×