Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi u kthye nga Nju Jorku

23 Prill, 2008

Prishtinë, 23 prill 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi u kthye sot nga Nju Jorku, ku mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Kryeministrin Thaçi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e pritën ministrat e kabinetit të tij.
 
Në një konferencë shtypi, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se para Këshillit të Sigurimit së bashku me ministrin e Jashtëm, Skender Hysenin dhe shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker, kemi prezantuar të arriturat e Kosovës gjatë tre muajve të kaluar.
“Ka qenë përfaqësimi i parë i shtetit të pavarur sovran dhe demokratik të Kosovës, një përfaqësim i cili është mirëpritur dhe është përshëndetur prej të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit “, tha kryeministri Thaçi, duke nënvizuara se në Nju Jork është prezantuar progresi i institucioneve të Kosovës.  
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi më tutje ka thënë se gjatë takimeve që ka zhvilluar në Nju Jork ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën, por edhe kemi kërkuar edhe njohjen e shtetit të Kosovës nga ato vende që janë në proces.
 
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hyseni kemi zhvilluar shumë takime në drejtim të lobimit për njohjen e Kosovës. Kemi pasur takime të mira dhe inkurajuese me përfaqësuesit e shteteve arabe, të Konferencës Islamike, vendeve të Karaibeve, Pakistanit, Libisë, por edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të KS të OKB-së, tha kryeministri Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi duke folur rreth paralajmërimeve të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ka thënë se në Këshillin e Sigurimit kemi paraqitur qëndrimin e përbashkët se pretendimet e Beogradit për të mbajtur zgjedhje në Kosovë janë të paligjshme dhe jolegale.
 
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka falënderuar shefin e UNMIK-ut, z. Joakim Ryker për prezantimin shumë dinjitoz dhe reflektues të realitetit dhe progresit në Kosovë gjatë tre muajve të kaluar.
 
“Ne kemi prezantuar opinione të njëjta, sepse edhe suksesi ka qenë i përbashkët”, ka thënë në fund të takimit me gazetarë, kryeministri Hashim Thaçi. 

Last modified: 23 Prill, 2008

Comments are closed.

×