Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi, takoi z. Libor Secka, drejtori i përgjithshëm për BE në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë

6 Mars, 2009

Prishtinë, 06 mars 2009

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot z. Libor Secka, drejtori i përgjithshëm për BE në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë. Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Çekisë në Prishtinë, znj. Janina Hrebickova.  

Pas takimit kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane dhe se institucionet vendore janë duke implementuar kriteret e domosdoshme për integrim në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-atlantike.

Duke vlerësuar me shumë rëndësi faktin që i gjithë rajoni do të ketë perspektivë euroatlantike, kryeministri Hashim Thaçi është shprehur se: “Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me gjitha vendet e rajonit, raporte që kanë sjellë më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim”. Kryeministri ka thënë gjithashtu se Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me të gjithë partnerët në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Kryeministri Thaçi me këtë rast ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Republikës Çeke për mbështetjen për Kosovën në këtë proces të rëndësishëm dhe jetik për vendin tonë.

Drejtori i Përgjithshëm për Bashkimin Evropian në Ministrinë e Jashtme të Çekisë, Libor Secka, ka deklaruar se vendi i tij mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe se prioritet i politikës së jashtme të vendit të tij është Ballkani Perëndimor.

“Një ndër prioritetet e marrëdhënieve tona të jashtme është identifikuar Ballkani Perëndimor, kështu që ne do të përpiqemi të kemi një vëmendje të shtuar për të gjitha vendet e këtij rajoni. Ne jemi duke bashkëpunuar me shtetet veç e veç për të gjetur mundësinë se si mund t’i afrojmë këto vende drejt Bashkimit Evropian”, tha Libor Secka.  

Last modified: 6 Mars, 2009

Comments are closed.