Prishtinë, 6 shkurt 2009
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së
Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të 53-të të rregullt., në të
cilën ka aprovuar Planin e Punës së qeverisë për vitin 2009.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim
Thaçi, ka rivlerësuar diskutimet dhe angazhimin e kabinetit qeveritar
dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në prezantimin
dhe diskutimin e Raportit Vjetor të punës së qeverisë, të cilin e ka
cilësuar si llogaridhënie të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj
përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, por edhe ndaj qytetarëve të
Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin në emër të Qeverisë
së Republikës së Kosovës, për Parlamentin Evropian, me rastin e
miratimit të rezolutës për Kosovën, e cila konfirmon angazhimin dhe
suksesin e shënuar në Kosovë.
“Rezoluta e Parlamentit Evropian është mbështetje për Kosovën dhe të
ardhmen evropiane për të gjithë rajonin”, është shprehur kryeministri
Thaçi, duke vlerësuar sidomos ftesën që kjo rezolutë ju bënë vendeve të
Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta
bëjnë këtë sa më parë.
“Në këtë rast, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës u bën ftesë të
gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat akoma nuk e kanë njohur
pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë”, ka thënë kryeministri Hashim
Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar, për vendimin që
kryeministri dhe presidenti kanë marrë për emërimin e Bashkim Smakajt,
drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ky vendim do t’i hap rrugë krijimit të këtij institucioni që do të jetë
në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Z.Smaka do ta ketë mbështetjen dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës
në përmbushjen e obligimeve të tij”, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria ka miratuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2009. Ky plan
është në harmoni me Programin e Punës së Qeverisë 2008-2011, Buxhetin e
vitit 2009, Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian, Strategjinë
Legjislative të viti 2009 si dhe me të gjitha dokumentet tjera
strategjike – sektoriale.
Kryeministri Hashim Thaçi në këtë rast ka kërkuar nga kabineti
qeveritar që të angazhohet në realizimin e objektivave të parapara dhe
brenda afateve të përcaktuara në këtë plan.
Në mbledhje është aprovuar kërkesa e Shoqatës së Invalidëve të Luftës
të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për
rregullimin e protezave për invalidët e luftës. Për këtë qëllim,
Qeveria ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 343.510 Euro, për
rregullimin e protezave të këmbëve, duarve dhe syve për invalidët e
UÇK-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar ndryshimin e vendimit për
statusin e oficerëve të sigurimit në Policinë e Kosovës dhe është
informuar për nevojën për zgjatjen e orarit të punës për punëtorët e
Departamentit të Regjistrimit Civil për shkak të rritjes së kërkesave
të qytetarëve për pajisje me dokumentet të identifikimit.
Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami ka njohur Qeverinë me
dorëzimin e mjeteve elektronike për makro valorë në Kosovë nga ana e
UNMIK-ut dhe nevojën e mirëmbajtjes dhe mbikëqyrjes së këtyre mjeteve.
Është vendosur që të krijohet një Komision ndërministror, i kryesuar
nga zëvendëskryeministri Ram Manaj, që ta trajtoj këtë çështje.
Last modified: 6 Shkurt, 2009