Prishtinë, 3 shkurt 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot ministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, e cila është edhe kryesuese e radhës e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE.
Në takim është diskutuar për zhvillimet në Kosovë, misionin e OSBE-së në Kosovë dhe për format e bashkëpunimit të Kosovës me Greqinë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur angazhimin e deritanishëm të OSBE-së.
“Të gjithë i jemi mirënjohës rolit të OSBE-së që ka kryer në Kosovë, punën e mirë qe e ka bërë, për zgjedhjet e lira dhe demokratike që i kemi organizuar në Kosovë, të cilat edhe kanë qenë model për rajonin” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Duke e njoftuar ministren Bakojanis për progresin e arritur në Kosovë dhe për hapat e gjertanishëm në integrimin e të gjitha komuniteteve, kryeministri Thaçi ka theksuar se “Kosova është duke bërë hapa të rëndësishëm për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe shumetnike dhe do të vazhdojë Angazhimin që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore”.
Kosova dhe Greqia janë duke zhvilluar raporte të mira fqinjësore dhe do të vazhdojnë edhe më tutje të thellojnë këto raporte ne të gjitha fushat me interes reciprok. “Ne jemi dy vende në kuptimin gjeografik shumë afër, por jemi gjithashtu edhe dy vende dhe dy popuj miq, me perspektivë të sigurt dhe të përbashkët si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian’, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe kryesuesja e OSBE-së, Dora Bakojanis, ka vlerësuar progresin e shënuar në Kosovë dhe ka shprehur angazhimin për të mbështetur Kosovën në rrugën e ndërtimit të një shoqërie multietnike dhe demokratike.
Duke folur në cilësinë e ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, znj.Bakojanis ka ripërsëritur angazhimin e shtetit grek për të ndërtuar raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet dhe për të lehtësuar komunikimin e njerëzve.
Ministrja Bakojanis ka shprehur qëndrimin e Greqisë se njohja e Kosovës nga ana e Greqisë do të jetë vetëm në bazë të interesit të shtetit grek dhe të sigurisë në rajon.
Last modified: 3 Shkurt, 2009