Prishtinë, 24 janar 2009
“Ne diskutuam si partnerë për të ardhmen dhe implementimin e prioriteteve edhe të Qeverisë edhe sindikatave, por edhe që janë edhe halle edhe shqetësime edhe të punëtorisë kosovare. Ne do të vazhdojmë me punë të përbashkët në të ardhmen edhe në nivel ministror. Jemi dakorduar që të formohet grupi punues për thellimin e dialogut social në mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatave të Pavarura të Kosovës” – theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Jemi pajtuar po ashtu që të funksionalizohet edhe Këshilli Ekonomiko – Social i Kosovës, si dhe të punohet edhe më tepër për kthimin e 20 përqindëshit e punëtorëve nga procesi i privatizimit, tha z.Thaçi dhe shtoi se në takimin me përfaqësuesit e sindikatave të vendit është biseduar edhe për nxjerrjen e legjislacionit të nevojshëm. Është biseduar edhe për stazhin e punës për periudhën 1990 – 1999.
Në takimin e sotëm u bisedua që të shqyrtohen të gjitha mundësi më të mira që të vazhdohet me implementimin e prioriteteve të zbatueshme për kohen, kushtet dhe rrethanat e legjislacionit dhe mundësitë tona edhe në kuadër të kornizës së kontratës kolektive.
Kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi takimin me përfaqësuesit e sindikatave të Kosovës të frytshëm, dhe potencoi se ky bashkëpunim do të vazhdohet në të mirë të gjithë punëtorisë kosovare.
Nga ana e tij, kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi pas takimit me kryeministrin Thaçi u shpreh:
Të gjitha ata që tha kryeministri Thaçi unë mendoj se është një diçka e mirë. Ne jemi për dialog dhe mendoj se do të kurorëzojmë atë me punë tani e tutje. Biseda dhe dialogu dhe nëse i kemi të gjitha ato që i përmendi edhe kryeministri puna do të avancohet dhe do të ketë një diçka mirë për punëtorinë kosovare.
Më tej z.Arifi shtoi se “me një bashkëpunim dhe një koordinim të punëve edhe të formimit të këtyre grupeve punuese si dhe funksionimi i këshillit ekonomiko social trepalësh qeveri – BSPK – Oda Ekonomike dhe partneriteti në këtë drejtim mendoj se do të avancon çështjen dhe do të avancon problemet me të cilat jemi duke u përballë ne si bashkimi i sindikatave gjegjësisht edhe si Qeveri”.
Në fund, kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi falënderoi qeverinë edhe kryeministrin Hashim Thaçi për ngritjen e pagave të shërbyesve civilë dhe të pensionistëve.
Me një angazhim, bashkëpunim edhe me një koordinim të punëve ne do të ecim edhe më përpara në të mirën e gjithë popullatës dhe punëtorisë së Kosovës, theksoi z. Arifi.
Last modified: 24 Janar, 2009