Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi priti ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Arben Imami

15 Shkurt, 2010

Prishtinë, 15 shkurt 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka takuar sot z. Arben Imami, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë. 
 
Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Shqipëria si anëtare e NATO-së mund të bart përvojat e saj, në funksion të mbështetjes së FSK–së në procesin e avancimit të saj, sipas parimeve dhe standardeve bashkëkohore të NATO-s.
 
Bashkëbiseduesit e kanë vlerësuar lartë ndihmën e FSK-së në operacionet e kërkim-shpëtimit, gjatë përmbytjeve në pjesën veriore të Shqipërisë. Me këtë rast, ministri Imami ka shprehur edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë për mbështetjen me rastin e kësaj fatkeqësie natyrore.

Ministri Arben Imami ka siguruar kryeministrin Thaçi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë është e gatshme për të ndihmuar dhe përkrahur FSK-në edhe gjatë periudhës së ardhshme, sikur që ka bërë edhe deri më tani. 

Last modified: 15 Shkurt, 2010

Comments are closed.