Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi, përuroi shkollat e reja në Kastrioit dhe në Nedakofc, si dhe shpërndau Abetaret e para për nxënësit e shkollës “Xhemail Mustafa” në Prishtinë

1 Shtator, 2008

Prishtinë,  1 shtator 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Enver Hoxhaj, në ditën e fillimit të  vitit të ri shkollor 2008/2009 , në komunën Kastriotit ka përuruar shkollën e mesme teknike dhe gjimnazit “Hasan Tahsini”, në Nedakofc të komunës së Vushtrrisë ka  përuruar paralelen e ndarë të shkollës fillore “Ali Kelmendi”, ndërsa në Shkollën Fillore “Xhemail Mustafa” ka shpërndarë Abetaren e parë për nxënësit e kësaj shkolle.
 
Para nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës së mesme teknike dhe gjimnazit “Hasan Tahsini” në Kastriot, kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që arsimin ta ketë prioritet kombëtar. Ai tha se këtë vit me ndryshimet që janë bërë me rritjen e pagave për mësimdhënësit dhe shpërndarjen falas të teksteve garantohet kujdes i shtuar i Qeverisë ndaj arsimit dhe edukimit.
 
“1 shtatori është një ditë e shpresës, besimit, është ditë e perspektivës për nxënësit, por edhe zotimeve të reja për të gjithë mësimdhënësit”, ka thënë kryeministri Thaçi duke shtuar se po fillojmë vitin e ri shkollorpër herë të parë në Kosovën e pavarur, sovrane dhe demokratike. Më tutje z. Thaçi ka pohuar se po e fillojmë këtë vit, në Kosovën e pavarur falë sakrificave dhe përpjekjeve njëshekullore të të gjithë neve, por në të njëjtën kohë, po e fillojmë këtë vit akademik ne objekte të reja moderne, po ashtu me paga shumë më të larta për të gjithë mësimdhënësit kosovarë dhe me libra falas për 200 mijë nxënës.
 
Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, u ka uruar të gjithë nxënësve dhe arsimtarëve të këtyre shkollave një vit të mbarë dhe të suksesshëm në godinat e shkollave të reja.
 
Duke  konsideruar si një vit specifik për vendin tonë, për qytetarët tonë, sepse për herë të parë po fillojmë një vit të ri akademik në Kosovën e pavarur sovrane dhe demokratike, kryeministri Thaçi ka përgëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës Fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, për fillimin e këtij viti shkollor.
 
Kryeministri ka shpërndarë abetaret dhe mjetet ndihmëse për nxënësit e klasave të para të kësaj shkolle. Ai ka shprehur vlerësimin pozitiv për krijimin e kushteve që ka bërë Ministria e Arsimit për dhënien falas për 200 mijë nxënës të Kosovës. Këtë vit do të shpërndahen librat për nxënësit e klasave të para deri në të pestën, ndërsa vitin e ardhshëm do të shpërndahen për të gjithë nxënësit e shkollave fillore në Kosovës

Last modified: 1 Shtator, 2008

Comments are closed.

×