Prishtinë, 29 shtator 2008
I nderuari z. Tërrnava,
Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’Ju uroj festën e Fitër Bajramit, Ju dhe gjithë qytetarëve të besimit islam të Kosovës.
Kjo festë kremtohet për herë të parë në Kosovën e lirë, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Kjo është e arritura jonë e madhe, për të cilën janë përpjekur gjenerata të tëra.
Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe tolerancë ndërfetare, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton të arriturat më të mira të civilizimit.
Në Kosovën e lirë dhe të pavarur këto vlera do të kultivohen edhe më shumë. Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Kosovës, garancë e perspektivës sonë të mirë.
Institucionet e Kosovës me përgjegjësinë më të lartë do të punojnë që Kosova të zhvillohet në të gjitha fushat e jetës, që sa më shpejt të bëhemi pjesë e institucioneve euroatlantike.
Kam besimin e plotë, se Ju dhe Bashkësia Islame e Kosovës, ashtu si në të kaluarën, edhe sot dhe në të ardhmen do të kontribuoni për forcimin e imazhit të Kosovës, si vend i lirë dhe demokratik.
Duke shprehur bindjen se gjatë këtyre ditëve do të shpalosen edhe më shumë mirësia, lumturia dhe dashuria njerëzore, edhe një herë urime Festa e Fitër Bajramit!
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës
Last modified: 29 Shtator, 2008