Prishtinë, 10 korrik 2012
Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë ka përgëzuar të gjithë fermerët e Kosovës, dhe i ka uruar ata për një sezon të suksesshëm dhe të begatshëm.
“Edhe sivjet është një rekord me rendimentet e grurit në Republikën e Kosovës. Unë i uroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, bujqit kosovarë për këtë sukses. Është fat që edhe koha është jashtëzakonisht e mirë, një kohë e përshtatshme dhe përgëzoj gjithë njerëzit që merren me bujqësi”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të qëndroj afër tyre me mbështetjen maksimale.
“Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambarë të fuqishëm, prandaj jam këtu që t’i inkurajoj edhe më tutje bujqit kosovarë por edhe të zotohem që Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i rrisë përgjegjësitë edhe më tepër që të jetë sa më afër bujqve në mënyrë që të kemi suksese të reja” vazhdoi kryeministri Thaçi.
Ministri Blerand Stavileci pasi uroi fermerët e Kosovës theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë bujqësinë. “Ne kemi ekzekutuar pagesat për rreth 9 mijë fermerë të vendit tonë, të cilët mbjellin këtë kulturë” tha ministri Stavileci, duke shtuar se viteve të ardhshme do të ketë edhe më shumë projekte dhe programe për t’i mbështetur fermerët.
Fermeri Valon Vehapi falënderoi Qeverinë për mbështetjen që u ka dhënë fermerëve përmes subvencioneve për kulturën e grurit . “ Ishte një vit i mirë. Ishte vit që mund të them se s’do të harrohet për një kohë të gjatë me rendimente diku 5500-6000 kg për hektar”, theksoi z.Vehapi.
Last modified: 10 Korrik, 2012