Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi mori pjesë në inaugurimin e fushatës së korrje shirjeve në Kosovë

23 Qershor, 2008

23 qershor 2008
 
Në arat e fshatit Korishë të komunës së Prizrenit, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Idriz Vehapi, ka marrë pjesë në inaugurimin e fushatës së sivjetme të korrje-shirjeve në Kosovë.
 
Kryeministri Thaçi ka përgëzuar të gjithë fermerët e Kosovës, dhe i ka uruar ata që korrje shirjet e sivjetme t’i mbushin me bukë dhe bereqet, hambarët e tyre.
 
”Uroj të gjithë bujqit kosovarë për fillimin e korrje-shirjeve. Është një sezon shumë i mbarë. Toka e Kosovës është shumë e plleshme dhe po punohet gjithnjë e më mirë. Sivjet besoj se rendimentet do të jenë shumë më të larta”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
 
Kryeministri i Kosovës ka theksuar se fushata e sivjetme e korrje-shirjeve është e para në shtetin e pavarur të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ndihmojë fermerët e Kosovës dhe zhvillimin e agrobiznesit.

Kryeministri Thaçi ka deklaruar se: “Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjithë autokombajnave t’i subvencionojë me rreth 30 për qind të çmimit të derivateve të naftës. Përfituesit më të mëdhenj nga kjo zbritje e çmimit për karburante do të jenë në radhë të parë të gjithë fermerët e Kosovës. Qeveria dhe fermerët janë partnerë dhe do të punojnë bashkërisht për të mirën e këtij vendi, për të mirën e gjithë qytetarëve, si dhe do të krijojmë lehtësira tjera të domosdoshme për bujqësinë kosovare”.

Kryeministri Thaçi është shprehur se ky është vetëm fillimi i përkrahjes së Qeverisë për agrobiznesin kosovarë. Në të ardhmen do të vazhdojmë t’i kryejmë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë shtetërore që kemi në raport me fermerët dhe me bujqësinë kosovare, ka thënë kryeministri Thaçi.

Last modified: 23 Qershor, 2008

Comments are closed.

×