Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Kosova, një vend i sigurt për gjithë qytetarët e saj

29 Prill, 2009

Prishtinë, 29 prill 2009

Kryeministri Hashim Tha në hapjen e mbledhjes së 62-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka përgëzuar anëtarët e kabinetit për angazhimin dhe punën në përmbushjen e detyrave programore të qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka vazhduar të marrë përgjegjësi dhe të angazhohet në procesin e kthimit të të gjithë qytetarëve të vetë në pronat e tyre. Në kuadër të këtyre angazhimeve është edhe angazhimi për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara në veri të Mitrovicës” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka shprehur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar angazhimet e veta në këtë drejtim dhe ka ftuar të gjithë qytetarët kosovarë që të kthehen në pronat e tyre.
“Kosova është një vend i sigurt për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e tij.

Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e hyrjes ka përgëzuar popullin dhe Qeverinë e Shqipërisë me rastin e dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe rajonin”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria ka aprovuar Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara i Republikës së Kosovës 2009 – 2011. Ky plan ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovë dhe po ashtu të përmbushë obligimet shtetërore që Kosova i ka për respektimin e konventave ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Ky plan ofron mundësinë që t’iu kushtohet më shumë vëmendje personave me aftësi të kufizuara si dhe është një intensifikim i përpjekjeve të përgjithshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt respektimit të plotë të këtyre të drejtave.

Përgatitja e Planit është plotësisht në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dokumentet e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është aprovuar edhe vendimi për hartimin e Strategjisë Nacionale Kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit. Agjencia për Barazi Gjinore do të udhëheqë me iniciativën për hartimin e kësaj strategjie, e cila do të shërbejë si udhëzues nacional për parandalimin, sigurinë, drejtësinë dhe trajtimin e viktimave dhe abuzuesve të dhunës në familje, si dhe të ndihmojë zhvillimin adekuat të mirëqenies në shoqërinë kosovare.

Strategjia do të bazohet në Ligjin për Barazinë Gjinore, mbi parimet e Deklaratës së Pekinit dhe të Platformës për Veprim dhe në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore në Kosovë.

Me një vendim të veçantë, Qeveria ka vendosur që të ndaj mjete financiare për të mbështet financimin e projektit për ngritjen e shtatores së dëshmorit, gjeneral Adrian Krasniqit. Shtatorja e dëshmorit Adrian Krasniqi do të ngrihet në Pejë.

Qeveria ka aprovuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Pyjet e Kosovës. Ky plotësim-ndryshim  i ligjit është në përputhje të plotë me përkushtimin e Qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë dhe të drejtësisë në programin e politikave të zhvillimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së pylltarisë e të zhvillimit rural, shërbimeve në pylltari, kërkimit dhe sigurimit profesional si dhe bazën e të dhënave dhe informacionet për politikat në pylltari.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e buxhetit për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Last modified: 29 Prill, 2009

Comments are closed.