Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Jeta dhe vepra e komandantit Zahir Pajaziti do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për punën e institucioneve të Kosovës

31 Janar, 2012

Prishtinë, 31.1.2012
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi bëri homazhe dhe vendosi lule para lapidarit të Heroit të Kosovës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, në pesëmbëdhjetë vjetorin e rënies.
 
“Sot, institucionet e shtetit të Kosovës, qytetarët e Kosovës, nderojnë me respektin më të lartë, veprën, jetën dhe heroizmin e komandantit më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmondit dhe Hakifit”, theksoi  kryeministri Hashim Thaçi, duke shtuar se “nderojmë me respektin më të lartë, me fuqinë dhe energjinë për të punuar edhe më tepër në konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian”.
 
Më tutje z. Thaçi tha se jeta dhe vepra e komandantit  Zahir do të mbetet gjithmonë si udhërrëfyes për punën e institucioneve të Kosovës, për gjithë bashkëluftëtarët e tij, për vullnetin e qytetarëve të vendit tonë.
 
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri të pamundurën me sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që arriti të mobilizojë popullin në luftën për liri dhe pavarësi, prandaj sot shteti i Kosovës, të gjithë qytetarët, nderojnë me pietetin më të lartë komandantët e UÇK-së, luftëtarët e lirisë. Siç e dini, për lirinë e Kosovës, pavarësinë e Kosovës kanë sakrifikuar të gjithë, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë çlirimtarë”, theksoi kryeministri Thaçi para lapidarit të komandantit Zahir Pajazitit në qendër të Prishtinës.

Last modified: 31 Janar, 2012

Comments are closed.