Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Integrimet evropiane, prioritet për qeverinë – parashihen 1500 veprime konkrete

11 Dhjetor, 2008

Prishtinë, 11 Dhjetor 2008
 
Qytetarët e Kosovës kanë pritur kushtetutë moderne dhe e kanë atë, kanë pritur zhvillim ekonomik dhe ai ka nisur, kanë pritur qeverisje të mirë dhe ajo është bërë, kanë pritur luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sot Kosova është e renditur e fundit në këtë aspekt, ka deklaruar kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë interpelancës së tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar para ligjvënësve planet dhe angazhimet e qeverisë për ta përshpejtuar procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, i cili mbetet ndër prioritetet kryesore të institucioneve të vendit.
 
“Ne e vlerësojmë raportin e progresit të Komisionit Evropian si mjaft real, por këtë e kemi bërë bashkërisht. Ne jemi përpjekur ta bëjmë punën më të mirë të mundshme dhe ky është vetëm fillimi. Qeveria parasheh rreth 1500 veprime konkrete për integrim në BE. Kjo tregon se integrimet evropiane mbesin prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka theksuar kryeministri Thaçi, duke përmendur në këtë rast Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian etj.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka rikujtuar se raporti i vitit të kaluar është marrë me vlerësimin e punës së administratës së UNMIK-ut, ndërkaq tani bëhet fjalë për institucionet e Kosovës.
 
“Është çështje personale nëse sot dikush ka nostalgji për atë qeverisje të kaluar, por e di se institucionet e Kosovës nuk e kanë një nostalgji të tillë”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se raporti i progresit i këtij viti është shumë më i avancuar se ai i vitit të kaluar.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për lehtësimin e rrugës për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane, mirëpo do të ishte naive nëse dikush do të mendojë që raporti të ishte tërësisht pa kritika.
 
“Vlerësimet e Raportit të Progresit për nevojën e marrjes së masave shtesë në sektorë të ndryshëm, si në drejtësi, ekonomi, shëndetësi, bujqësi etj., nuk duhet ta marrim si ndëshkim, por si domosdoshmëri dhe si shqetësim edhe të institucioneve për të ngritur nivelin e angazhimit për të arritur qëllimin tonë”, ka thënë ai.
 
Kreu i ekzekutivit, Hashim Thaci gjithashtu ka përmendur privatizimin e PTK-së, distribuimin e KEK-ut, konzorciumin e Aeroportit të Prishtinës, fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e re” dhe Hidrocentralin e Zhurit, duke thënë se të gjitha këto i shërbejnë punës më efikase dhe rritjes së zhvillimit ekonomik.
 
Duke u ndalur tek çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur hulumtimin e Gallup International, i cili e ka nxjerr Kosovën të fundit ndër vendet e rajonit sa i përket këtyre dukurive.
 
Ndërkohë, kryeministri Thaçi është ndalur edhe tek rritja e pagave, për të cilën ka thënë se si çështje është ngritur nga FMN-ja, mirëpo një gjë e tillë ka qenë detyrë e Qeverisë së Kosovës.
 
“Është aftësi e qeverisë diskutimi dhe mirëkuptimi me faktorin ndërkombëtar, që kjo që nuk ka ndodhë qe nëntë vjet, të ndodhë tani”, ka thënë kryeministri.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur të gjithë hapat që ka marrë qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës për ta trasuar rrugën për integrim evropian, duke nisur që nga instalimi i qeverisjes së mirë në Kosovë.
 

Last modified: 11 Dhjetor, 2008

Comments are closed.