Prishtinë, 20 maj 2009
Në vazhdim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:
Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim të jashtëzakonshëm është duke bërë të gjitha reformat adekuate për të përshpejtuar procesin e përmbushjes së standardeve për integrimin e vendit tonë në Bashkim Evropian.
Rol kyç në përmbylljen me sukses të të gjitha reformave, luan asistenca, mbështetja financiare që mundësohet nga ana e Komisionit Evropian.
Asistenca financiare përmes instrumentit për ndihmë në procesin e para anëtarësimit – IPA, është duke i ndihmuar jashtëzakonisht Kosovës, që të përmbushim sa më shpejt të gjitha kriteret për anëtarësim.
Shuma prej 60 milionë eurosh përmban projektet, të cilat janë në përputhje të plotë me prioritet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në aspektin e përmbushjes së kritereve politike, ekonomike dhe legjislative.
Këto prioritete burojnë nga Plani i Veprimit për Partneritet Evropian dhe nga Korniza Afatmesme e Shpenzimeve.
Ne si Qeveri do të sigurojmë që këto projekte të implementohen me kohë, në transparencë dhe përgjegjësi.
Do t’i japim llogari dhe do të ketë transparencë për çdo cent.
Do të vazhdojmë me funksionimin demokratik të institucioneve, qeverisje të mirë, efektive dhe efikase, të sundimit të ligjit dhe të betejës së pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të vendit tonë, dua të falënderoj Komisionin Evropian, Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian dhe gjithë stafin në përgjithësi, shefin e Zyrës, Renzo Davidi, në veçanti, për ndihmën e ngushtë që ka treguar me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen që ka ofruar vazhdimisht për Kosovën.
Last modified: 20 Maj, 2009