Prishtinë, 4 shkurt 2009
Në vazhdim po prezantojmë deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi në konferencën për media, pas emërimit të drejtorit të AKI-së.
Jam shumë krenar që sot me presidentin e Republikës së Kosovës, z. Sejdiu morëm vendimi shumë të rëndësishëm për emërimin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Mbi të gjitha, ndjehem shumë mirë që kemi arritur të emërojmë njeriun me përgjegjësi të lartë shtetërore, njeriun e përgatitur mirë, me përgatitje të lartë akademike, të përkushtuar në punë dhe të gatshëm për të shërbyer vendit me devotshmëri.
Agjencia Kosovare për Inteligjencë do të jetë një agjenci profesionale dhe shumë etnike. Suksesi i Agjencisë do të jetë i garantuar sepse të gjitha institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Gjithashtu do të bashkëpunohet ngushtë me mekanizmat relevant ndërkombëtar.
Prandaj, unë si kryeministër i Republikës së Kosovës e përgëzoj për detyrën e ri shtetërore z. Smakaj dhe e siguroj se do ta ketë bashkëpunimin dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.
Kosova është shtet i suksesit. Unë dua të theksoi fuqishëm se edhe Agjencia për Inteligjencë do të ketë sukses të plotë.
Nga ana e tij drejtori i sapozgjedhur i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, fillimisht ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidentin Fatmir Sejdiu për besimin e dhënë për ta kryer këtë detyrë shumë të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
“Unë jam shumë krenar që sot ngarkohem më një përgjegjësi shtetërore kaq të lartë, dhe zotohem se në punën time të përditshme do të udhëhiqem nga parimet më të larta kushtetuese, ligjore dhe etike” – ka thënë z.Smakaj.
“Në përputhje me ligjin, AKI-ja do të sigurojë informacion me kohë dhe të saktë për inteligjencën, kundërinteligjencën, kërcënimet nga brenda dhe jashtë, për terrorizmin ndërkombëtar dhe atë vendor, prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve, për krimin e organizuar, krimin ekonomik, sabotimin dhe të gjitha çështjet tjera të inteligjencës të lidhura me sigurinë e Kosovës. AKI-do jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe e hapur për të gjitha komunitetet” – ka përfunduar drejtori i sapozgjedhur i AKI-së.
Në vazhdim po japim biografinë e z. Bashkim Smakaj, Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë
Z. Bashkim Smakaj është i lindur me 1 korrik 1976 në fshatin Këpuz në komunën e Klinës.
Ai është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore, në Degën e Biologjisë dhe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në drejtimin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike.
Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, gjermane, italiane dhe atë serbokroate.
Përveç arsimit superior, z. Smakaj ka përfunduar një mori kursesh dhe trajnimesh tjera profesionale në vend dhe në qendrat tjera jashtë vendit.
Përvoja e punës përfshin një numër të konsiderueshëm të pozitave të ushtruara në kuadër të Policisë së Kosovës, ku ka shërbyer deri më tani.
Pozita e fundit që ka ushtruar deri më sot ka qenë ajo e Drejtorit për Planifikim Strategjik, Akte Normative dhe Ndërlidhje, dhe Policia Kufitare e Kosovës.
Z. Bashkim Smakaj është i martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Prishtinë.
Last modified: 4 Shkurt, 2009