Prishtinë, 25 korrik 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është kthyer sot në vend nga vizita zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Thaçi në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës ka përshëndetur opinionin e GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe më pas ka vlerësuar shumë të suksesshme dhe frytdhënëse vizitën dhe takimet e nivelit të lartë në administratën e shtetit të SHBA-ve.
“Në të gjitha takimet duke filluar nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, takimi në Kongres, FMN, Bankën Botërore dhe në të gjitha takimet tjera kemi marrë përkrahjen e plotë dhe mbështetjen e plotë për Kosovën”, theksoi z. Thaçi duke veçuar takimin me zëvendëspresidentin Bajden nga i cili kemi marrë përkrahjen e fuqishme për reformat , për progresin e shumanshëm që kemi arritur në ndërtimin e Kosovës demokratike dhe shumetnike si dhe angazhimet tona për bashkëpunim rajonal.
“Mbështetja nga administrata Obama e ritheksuar në takimin me z. Bajden ishte një mbështetje unike e jashtëzakonshme e që do të vazhdojë edhe në të ardhmen theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se të njëjtën përkrahje kemi marrë edhe nga takimet me kongresistë dhe senatorë si ata demokrat dhe republikan .
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë ftesën e sekretares amerikane të Shtetit znj. Klinton që pesë shtete e BE-së ta njohin sa më shpejt shtetin e Kosovës.
Në konferencë shtypi kryeministri ka thënë se pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës suksesshëm po i vije fundi.”Ne do të funksionojmë si shtet sovran, i pavarur në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve tona dhe në mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare dhe prezencës së KFOR-it.”, pohoi z. Thaçi.
Po ashtu kryeministri Thaçi ka vlerësuar takimet me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore nga të cilat Kosova ka marrë mbështetje të plotë. Në këto takime përkrahje kanë marrë të gjitha projektet e filluar nga Qeveria e Kosovës si ai i Autostradës Morin- Prishtinë- Merdare, Aeroporti i Prishtinës , ai i termocentralit Kosova e Re, PTK dhe projektet tjera..
Duke folur për opinionin e GJND-së , kryeministri theksoi se ishte një e arritur historike. Për Kosovën ishin këto ditë të mëdha . “Opinioni i GJND-së ishte i drejt , në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në përputhje me vendimet e institucioneve për shpalljen e pavarësisë , dhe në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se çdo qytetar i Kosovës duhet të ndihet mirë , duhet të ndihet krenar , duhet të ndihet i sigurt për të ardhmen e shtetit tonë. Është hapur perspektiva euro-atlantike për Kosovën dhe pritet njohja nga të gjitha vendet e BE-së. Sepse opinioni i GJND-së ka heq të gjitha arsyetimet e çdo vendi për të mos njohur Kosovën . “Asnjë vend në botë sot nuk ka arsye për të mos njohur pavarësinë e Kosovës” pohoi kryeministri Hashim Thaçi.
Last modified: 25 Korrik, 2010