Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Askush nuk do të mund ta blejë, as ta heshtë korrupsionin

27 Mars, 2008

Prishtinë, 27 mars 2008
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri z.Hashim Thaçi, në mbledhjen e 13-të ka diskutuar për situatën energjetike, përgatitjet për Konferencën e Donatorëve, si dhe ka formuar komisionin për shënimin e vijës kufitare me Maqedoninë.
 
Në krye të Komisionit për shënimin e vijës kufitare, u emërua Bekim Çollaku, këshilltar i lartë i kryeministrit Hashim Thaçi, ndërsa anëtarë të këtij komision janë emëruar: Asllan Pushka, Behar Selimi, Murat Meha dhe Xhafer Tahiri.
 
Në vazhdim, kryeministri Thaçi e njoftoi kabinetin qeveritar për masat që janë marrë për përmirësimin e gjendjes elektroenergjetike, në vend pas shpalljes së saj si krizë nacionale. Kryeministri ka thënë se masat që ka ndërmarrë Ministria e Energjisë dhe Minierave kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e energjisë, por ende mbetet që të punohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
 
Në bazë të propozimit të Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP), Qeveria ka marrë vendim për personelin akademik në Universitetin e Prishtinës, që ka mbushur moshën 65 vjeçare, t’i vazhdohet kontrata e punës deri në përfundimin e vitit akademik.
 
Qeveria ka marrë vendim që në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të Kosovës të fillojë procesi i gradimit dhe i licencimit të mësimdhënësve. Procesit të gradimit dhe të licencimit do t’i nënshtrohen të gjithë mësimdhënësit e institucioneve të arsimit parauniversitar, të cilët nga ky proces do të përfitojnë shtesa në pagë dhe përparime në karrierë. Gjithashtu, parashihet formimi i një komisioni ndërministror, me pjesëmarrje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të përcaktuar efektet financiare të procesit dhe masat për zbatimin e këtij vendimi. Për këtë qëllim do të krijohet Agjencia për Licencim dhe Akreditim.
 
Qeveria i ka dhënë dritën jeshile rekomandimit të Zyrës për Qeverisje të Mirë (ZKM) për emërimin e anëtarëve të Grupit punues ndërministror kundër korrupsionit. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kryeministri Thaçi ka thënë se moto e Qeverisë së Kosovës është: “zero tolerancë korrupsionit, kontrabandës dhe krimit, kudo dhe kurdoherë që paraqitet”.
 
Korrupsioni vazhdon të paraqitet si realitet në përmasa alarmante jo vetëm në Aeroportin e Prishtinës, por edhe në KEK dhe PTK. Nuk do të jetë askush mbi rendin, ligjin dhe drejtësinë. Askush nuk do të mund ta blejë dhe as ta heshtë korrupsionin, – ka theksuar kryeministri i Qeverisë së Kosovës z. Hashim Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit. Luftën kundër korrupsionit e ka cilësuar patriotizëm të qytetarëve.
 
Konstituimi i Grupit punues ndërministror kundër korrupsionit do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme.
 
Qeveria ka shqyrtuar gjendjen e borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës dhe i ka dhënë përkrahje në angazhimet për mbledhjen e taksave, sipas normave ligjore që janë në fuqi. Sipas të dhënave të MEF-it, shuma e borxheve në emër të tatimeve për vitet 2002- 2004, arrin në 261 milion euro. Qeveria ka konstatuar se tatimet janë bazë e funksionit të shtetit tonë.
 
Lidhur me  kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për shtimin e numrit të të punësuarve, Qeveria ka vlerësuar se kjo aktualisht nuk është e mundur. Qeveria ka rekomanduar që kjo çështje të rregullohet përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të MBPZHR dhe MEF-it.
 
Kabineti qeveritar sot ka diskutuar Projektligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, të sponzoruar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS). Qeveria ka propozuar që projektligji të plotësohet me vërejtje dhe sugjerime nga diskutimet, dhe pastaj të miratohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë.
 
Në përfundim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Thaçi, duke folur lidhur me statusin e shërbyesve civilë, ka thënë se shërbimi civil është i paprekshëm, por paaftësia, injoranca dhe bllokadat me të cilat ballafaqohemi, duhet kapërcyer. Duhet tejkaluar edhe politizimet që janë paraqitur.

Last modified: 27 Mars, 2008

Comments are closed.