Prishtinë, 12 nëntor 2018
“Kuvendi i Kosovës është tempulli më i lartë i vendimmarrjes, vendi ku normohet të bërit biznes. Norma buron nga këtu, deputetët, të zgjedhurit, vendosin për rregullat dhe shumë parametra të asaj se si bëhet biznes në vendin tonë”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila u mbajt në Kuvendin e Kosovës.
Duke falënderuar deputetët për gjithë angazhimin e tyre, kryeministri Haradinaj tha se sot Kosova ka ligje të avancuara të të bërit biznes dhe garojmë me vendet lidere në të bërit biznes në ndërmarrësi.
Por, kryeministri Haradinaj përmendi energjinë si hendikep, e cila pamundëson të bërit biznes.
“Jemi në pozicion të vështirë. Bizneset në Kosovë humbin mbi 300 milionë euro në vit për shkak të gjendjes në energji. Për më shumë se një dekadë na kanë mbajtur peng dhe na janë vonuar investimet në energji. Por, fatmirësisht një projekt për energji dhe furnizim të qëndrueshëm në energji ende është opsional dhe mendoj se në Kosovë do të kemi investimin më të madh që kemi pasur në energji, me 1.3 miliard dollarë nga investitori amerikanë”, tha kryeministri Haradinaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se janë të interesuar që të ketë stabilitet në energji dhe se për Kosovën është e paarritshme stabiliteti energjetik vetëm me energji të ripërtëritshme.
Problem tjetër, kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe rendin dhe ligjin, apo barrierat burokratike, korrupsionin dhe mungesën e konkurrencës së duhur.
“Në shumicën e rasteve dihet se ka pasur vështirësi që të bazohet vetëm në kualitetin e ofertës, por është dashur edhe kualitete tjera. Duhet të shkojmë nga një qasje më e qëndrueshme, ku kualiteti i ofertës fiton”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se nëse të gjithë shkojnë në këtë drejtim, sektori publik, privat, sipërmarrësit, ekspertët, atëherë rritet gara jo vetëm brenda ekonomisë sonë, por edhe më gjerë.
Kryeministri Haradinaj, foli edhe për heqjen e taksave nga makineritë, lëndën e parë dhe pajisjet teknologjike informative, duke siguruar ndërmarrësit se si Kosovë të gjitha projektet e nisura të sipërmarrësve do t’i bashkojnë, një Park Inovativ Trajnues në Prizren, një Zonë Ekonomike Amerikane në Gjakovë që është në nisje dhe shumë ide tjera të të bërit biznes.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se dija, inovacioni dhe ndërmarrësia janë vetë dinjiteti i njeriut në kushtet e lirisë, ndërsa qytetarët e Kosovës i kanë të gjitha këto mundësi.
“Perspektiva e vendit, zhvillimi ekonomik mund të vijnë vetëm nga idetë inovative dhe nga ndërmarrësia, nga iniciativa e lirë private, nga kapitalizmi modern dhe kjo është ajo që duhet ta theksojmë, sepse ajo është perspektiva”, tha kryetari Veseli, duke theksuar se në Kosovë tashmë është ndërtuar infrastrukturë moderne e zhvillimit ekonomik, vetëm se duhet të fuqizohet ndërmarrësia.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), Uranik Begu, tha se këtë vit me një numër rekord të aktiviteteve, mbi 60 sosh po niset kjo javë në institucionin më të lartë vendimmarrës, në Kuvendin e Kosovës.
“Ekonomia dhe prosperitet ynë varen nga shumë faktorë, mirëpo lartë në listë qëndron mundësia e ndërmarrësve, inovatorëve për të zhvilluar idetë e tyre në ndërmarrje të qëndrueshme”, tha Begu, duke theksuar se janë krenarë për ata ndërmarrës që kontribuojnë në ndërtimin e një ekonomie të diversifikuar dhe inovative, idetë e të cilëve jo vetëm se krijojnë vende të reja të punës, por mbi të gjitha rritin prosperitetin dhe inkurajojnë gjeneratat e reja që të jenë të guximshëm dhe të krijojnë perspektivë në vendin e tyre.
Një fjalë para të pranishmeve e mbajti edhe Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe pjesëmarrës të tjerë.
Last modified: 12 Nëntor, 2018