Obiliq, 20 tetor 2018
“Është një moment gëzimi sepse po ndodh një punë e qëlluar dhe e drejtë në vendin që i takon, te njerëzit që vërtet e meritojnë. Jemi në proces të investimeve në energji alternative, por edhe në teknologji të re me qymyr dhe po punojmë intensivisht që vetvetiu të mos hetohet ndotja, por të jetë Obiliqi një vend i pëlqyer nga të gjithë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit të Obiliqit.
Fillimisht, kryeministri Haradinaj i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është pritur në takim nga kryetari i Komunës, Xhafer Gashi me bashkëpunëtorë, ku është njoftuar për projektet që janë në realizim si dhe për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e sheshit të qytetit, projekt ky i bashkëfinancuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Obiliqit.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është duke përkrahur projektet e komunave të Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies së qytetarëve.
Pas takimit me kryetarin e Komunës, kryeministri Haradinaj në vënien e gurthemelit të punimeve për ndërtimin e sheshit të Obiliqit, para qytetarëve të shumtë tha se sot Ligji për Obiliqin është realitet, dhe po shkohet kah një qytet atraktiv ku njerëzit do të ndjehen mirë në këtë komunë.
“Kemi punë të mëdha të pakryera në Kosovë, por nuk e harrojmë jetën e njerëzve tanë. Ne duhet ta përmbyllim procesin e INTERPOL-it, liberalizimit të vizave, shtrirjen e juridiksionit, ushtrinë veçse e kemi konfirmuar, dhe vota në Parlament ishte nderi më i madh që ia bëjmë vetes. Kjo është një porosi se ne jemi njerëz që dimë ta respektojmë jo vetëm të drejtën tonë, por edhe çdo palë tjetër”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar se do të jetë pranë qytetarëve të kësaj komune në rrugëtim e sipër.
Duke përgëzuar punën e mirë dhe vizionin e kryetarit Gashi, kryeministri Haradinaj tha se nga një gjendje e pashpresë siç ka qenë, Komuna e Obiliqit tani po kthehet në një qytet atraktiv, duke theksuar se nuk ka harruar as premtimin për punësim në KEK për banorët e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se sot po fillon një projekti madhor i domosdoshëm për qytetin e Obiliqit.
“Obiliqi po ndryshon. Sot në Obiliq janë 43 projekte në realizim, sot është projekti i 44-të, ndërsa të hënën do të fillojmë me realizimin e projektit të 45-të”, tha kryetari Gashi, duke potencuar se gjithë këto projekte po bëhen me përkrahjen e Qeverisë Haradinaj.
Me këtë rast, kryetari Gashi përmendi edhe Ligji për Obiliqin, duke thënë se ligji do të krijojë mundësi për ndryshimin e gjendjes faktike të kësaj komune, jo vetëm në aspektin e ndërtimeve të vjetra, por edhe atë shëndetësorë.
Para të pranishmëve fjalë rasti mbajti edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Sheshi i Komunës së Obiliqit, do ta mbajë emrin e kontribuuesit të madh të kësaj komune, Adem Preniqi.
Kryeministri Haradinaj ka bërë homazhe edhe te lapidari i dëshmorëve të lirisë të Komunës së Obiliqit.
Last modified: 20 Tetor, 2018