Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Haradinaj: Jemi në një urgjencë kohore të veprimit, për ta çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës

12 Nëntor, 2018

Prishtinë, 12 Nëntor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në takimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, të thirrur nga vet Kryeministri Haradinaj me qëllim të çuarjes përpara të agjendës evropiane të Kosovës.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj duke e falënderuar Kuvendin por edhe Komisionin për një qasje të kujdesshme, për gatishmërinë që të ndërhyjë në dinamikat përgatitore tha se megjithatë gjenden në një urgjencë kohore të veprimit.

“Ideja është që për shkak se jemi në kohë bukur ngushtë para rezultateve të nevojshme, tashmë të duhura për të hyrë Kosova në agjendën e liberalizmit të vizave, është ERA, por është edhe hyrja në agjendën për liberalizim, kemi kaluar me sukses falë punës suaj dhe të gjithë të tjerëve, pra për etapat e deritashme, ato të Komisionit e të Parlamentit, por jemi prapë në një urgjencë kohore të veprimit edhe sikurse e dini disa ligje janë në evidencë të palëve në mënyrë që të quhet si avancim”, deklaroi Kryeministri Haradinaj, para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në fjalën e tij, Kryeministri Haradinaj, i përmendi disa ligje që siç theksoi ai janë në kërkesë të shpejtë, duke kërkuar nga anëtarët e këtij Komisioni që ligjet që janë ERA, por jo vetëm ERA, e që janë të lidhura me liberalizimin e vizave, të përshpejtohen në Komision në mënyrë që të shkohet në një seancë plenare në një afat sa më të shkurtër kohor dhe Kosova të ketë gjasa të hyrjes në agjendën e Këshillit të Evropës për çështjen e vizave.

Kodi penal, Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe projektligji për përgjegjësinë disiplinore, janë katër projektligje që kërkojnë prioritet për miratim në Kuvendin e Kosovës, ngjashëm siç janë edhe Projektligji për Gjykatat, ai për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial.

Këto 7 projektligje sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, janë pozitive nëse mund të hyjnë në një seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Anëtarët e Komisionit u pajtuan që ligjet që i përkasin këtij komisioni t’i trajtojnë me urgjencë, ndërsa i rekomanduan Kryesisë së Kuvendit dhe komisioneve funksionale që të mbajnë mbledhje të jashtëzakonshme për t’i trajtuar këto çështje me prioritet.

Last modified: 12 Nëntor, 2018

Comments are closed.