Prishtinë, 22 qershor 2010
Është mbajtur sot në Stamboll mbledhja vjetore e Bordit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Në këtë takim mori pjesë edhe një delegacion i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Bashkëpunim Rajonal, Lirak Çelaj.
Takimin e hapi Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili shprehu përkrahje e Qeverisë Turke për punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe iniciativave rajonale në përgjithësi.
Në fjalën e tij, koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Bashkëpunim Rajonal, Lirak Çelaj shprehu vendosmërinë e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për të marr pjesë dhe për të qenë aktivë në të gjitha iniciativat rajonale.
Z.Çelaj tha se bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë ndër prioritetet e qeverisë dhe shtoi se përkundër vullnetit të mirë që ka treguar Kosova në këto iniciativa dhe fleksibilitetit me qëllim të avanicimit të Bashkëpunimit Rajonal, jo të gjitha vendet e rajonit janë sjellur njësoj. Ai u përkujtoi të pranishmëve që në disa takime Kosovës nuk i është lejuar pjesëmarrja për shkak të vizave apo arsyetimeve tjera.
Kosova ka të njëjtat ambicie, sikur shumica e vendeve të Ballkanit për integrime euro-atlantike, prandaj një pjesëmarrje në mënyrë të barabartë për të gjithë është e domosdoshme që iniciativat Rajonale të kenë sukses – u shpreh Çelaj.
Ai i përkujtoj pjesëmarrësve që për shkak të Serbisë janë bllokuar iniciativa që mund të jenë shumë të dobishme për mbar Rajonin siç janë CFTA dhe RESPA. Z.Çelaj tha se është koha e fundit që të pranohet realiteti dhe se përfaqësimi si UNMIK/Kosovo të ndërrohet në të gjitha iniciativat sepse kjo më nuk i përket realitetit në terren sidomos pash shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj.
Fjalimi i z. Çelaj u pasua me protestë nga ana e përfaqësuesit të Serbisë, por u injorua nga Sekretari i përgjithshëm z/ Bishqeviq.
Në mbledhje ishte prezent ndër tjerash edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, i cili e ritheksoi qëndrimin se së shpejti Kosova do ta ketë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
“Kosova e ka vendin në Evropë, Kosova ka të ardhme Evropiane dhe gjithëpërfshirja duhet të jetë çështje kyçe sa i përket Bashkëpunimit Rajonal” – u shpreh mes tjerash z.Fyle.
Në mbledhjen vjetore të Bordit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, z. Hido Bishqeviq u rizgjodh edhe për një mandat 2 vjeçar, Sekretar i Përgjithshëm i KBR-së (RCC), si dhe u aprovua strategjia dhe plani i punës për vitet 2011 – 2013.
Last modified: 22 Qershor, 2010