12 gusht 2012
Zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, udhëheqësja e delegacionit të Republikës së Kosovës në bisedimet teknik mes Prishtinës e Beogradit, Edita Tahiri, sot mbajti një konferencë me gazetarë.
Në vazhdim po e japim në tërësi fjalën e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në këtë konferencë:
Ju përshëndes të gjithëve ju falënderoj për pjesëmarrjen,
Qëllimi i kësaj konference për shtyp është që t`ju njoftoj për rrjedhat në dialogun teknik, përkatësisht për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve, përfitimet e Kosovës nga dialogu teknik në dobi të qytetarëve dhe integrimeve evropiane si dhe perspektivat e vazhdimit të sajë.
Gjendja në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit
Për sa i takon zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, vlerësojë se ky proces vazhdon të ballafaqohet me ngecje të mëdha në përgjithësi, me zbatime të pjesrishme, vonesa, shmangie dhe shkelje të obligimeve që janë si rezultat i mungesës së vullnetit politik të Serbisë për ti respektuar ato. Kosova nga ana e sajë jo vetëm që ka pasur përformanca të larta e të vlerësuara ndërkombëtarisht gjatë procesit të dialogut teknik por gjithashtu ka përmbushur të gjitha obligimet implementuese.
Më lejoni t`ju informojë për gjendjen e zbatimit për secilën marrëveshje veç e veç.
1. KTHIMI I REGJISTRIT CIVIL – marrëveshja është arritur me 2 korrik 2011
Zbatimi i Marrëveshjes për Regjistrat Civil nuk ka shënuar përparim të theksuar, sepse deri me tani Serbia ia ka kthyer Kosovës vetëm 205 libra të gjendjes civile prej gjithsejtë 12.033, të cilat janë marrë nga Kosova në periudhën e okupimit dhe luftës. Pra kjo marrëveshje është me ngecje serioze duke qenë se është zbatuar vetëm 1.7%, ndërkohë që është shkelur afati për implementim i paraparë për 6-deri 9 muaj. Është e qartë se Serbisë i ka munguar vullneti politik për plotësimin e obligimeve, përderisa Kosova ka qenë e përpiktë për përmbushjen e obligimeve të saja. Nga BE-ja dhe Grupi implementues të udhëhequr nga EULEX-i kemi njoftime se BE ka angazhuar një organizate ndërkombëtare (Danish Refugee Council) për të bërë skanimin masiv dhe kemi premtime se për 12 muaj do të mund të realizohet kthimi i gjithë dokumentacionit. Një e arritur e rëndësishme është se kjo marrëveshje ka bërë që të shuhen strukturat paralele të cilat deri me tash në mënyre ilegale kane lëshuar dokumentet të gjendjes civile.
Nga ana tjetër përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje janë tash me konkrete, përkundër faktit qe nuk është bere kthimi i dokumentacionit, sepse BE tashmë e ka vlerësuar si standard të plotësuar regjistrin civil të Kosovës si një nga kriteret e liberalizimit të vizave.
2. LIRIA e LËVIZJES – Marrëveshja është arritur me 2 korrik 2011
Që nga 26 dhjetori 2011 kur ka hyrë në fuqi zbatimi i kësaj marrëveshjeje, mund të themi se ajo zbatohet në pjesën më të madhe, sado që ka ende pengesa nga ana e Serbisë dhe strukturave ilegale serbe për zbatimin e sajë të plotë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje është arritur njohja e dokumenteve shtetërore të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, lejet e njoftimit dhe patentë shoferët dhe pasaportat në raste transiti, është arritur vendosja e reciprocitetit mes dy shteteve në lëvizjen e të lirë të njerëzve, dhe janë krijuar lehtësi për bashkatdhetarët tanë që të vizitojnë vendlindjen e tyre Kosovën.
Vetëm në muajin korrik të vitit 2012 është rritur qarkullimi i udhëtarëve dhe makinave për mbi 100 mijë krahasuar me vitin 2011 kur marrëveshja ende s`ka qenë në fuqi. (Nga 158 mijë udhëtarë dhe 100 mijë makina sa kanë hyrë në korrik të vitit 2011 kjo shifër ka arritur në mbi 257 mijë udhëtarë dhe 199.500 makina në korrik të vitit 2012.
Po ashtu varësisht vendit të nisjes ka ndikuar në masë të madhe në uljen e shpenzimeve të udhëtimit për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
Kjo marrëveshje ka mundësuar vendosjen e rendin ligjor në përdorimin e targave të automjeteve dhe largimin e targave e ilegale. Deri më tash 7950 makina janë regjistruar në tabela zyrtare të Republikës së Kosovës, po ashtu janë konfiskuar edhe një numër i atyre ilegale. Kjo marrëveshja ka bërë që mbi 45 mijë qytetarë të komunitetit serb të marrin dokumente të shtetit të Kosovës, bazuar në raportin e MPB-së.
Përkundër ndikimeve pozitive që ka pasur kjo marrëveshje vazhdon të ballafaqohet me zbatim të limituar dhe në disa raste obstruksione dhe pengesa siç janë mbajtja e bllokadave në rrugë, maltretime të ndryshme të qytetarëve, arrestime arbitrare, dhe pritje të stërzgjatura në kufij të shkaktuara qëllimisht nga autoritetet Serbe. Qeveria ka qenë plotësisht e angazhuar në përballimin e këtyre pengesave dhe vlerësojmë angazhimet e KFOR-it dhe EULEX-it në këtë drejtim.
Po ashtu pala Serbe ka dështuar në zbatimin e marrëveshjes duke pamundësuar hapjen e të gjitha pikëkalimeve kufitare si në kufirin me Kosovën, pikat e kalimit me vendet e treta dhe në aeroportet ndërkombëtare në territorin e Serbisë, gjë të cilën qytetarët Serb e gëzojnë në territorin e Kosovës
Ngjashëm, vendosja e tarifave të larta të sigurimeve kufitare ka pasur ndikim negativ në kalimet kufitare. Përkundër insistimit tonë për uljen e tarifave dhe propozimin e modeleve më të mira dhe të lira të mundshme bazuar në praktikat dhe ligjet ndërkombëtare, pala Serbe ka insistuar në mbajtjen e tarifave të tilla për sigurimet kufitare.
3. VULAT E DOGANAVE / TREGTIA E LIRË – marrëveshja është arritur më 2 shtator 2011
Kjo është marrëveshja e vetme e cila është duke u zbatuar në mënyrë të kënaqshme. Megjithatë, ende mbesin problemet e ngjashme si me rastin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të cekura më sipër.
Aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshje është se Serbia ka njohur vulat e doganës së shtetit të Kosovës dhe për rrjedhojë kemi pasur heqjen e embargos tre vjeçare të Serbisë ndaj mallrave të Kosovës.
Përmes kësaj marrëveshje është arritur reciprocitet i plotë në marrëdhëniet tregtare në mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në standardet Evropiane dhe rregullat CEFTA-s.
Një rezultat i rëndësishëm i marrëveshjes për njohjen reciproke të vulave doganore është se me zbatimin e kësaj marrëveshje janë shuar strukturat ilegale paralele në fushën e doganave që kanë vepruar për më shumë se një dekadë.
4. KTHIMI I DOKUMENTEVE KADASTRALE – marrëveshja është arritur me 2 shtator 2011
Deri me tash nuk ka progres në zbatim e marrëveshjes për kthimin e dokumenteve kadastrale.
Serbia nuk ka bërë asnjë veprim në drejtim të skanimit të dokumentacioni kadastral të cilën e ka marrë dhunshëm në periudhën e okupimit, duke mbajtur ende 12 milionë faqe të këtij dokumentacioni.
Sipas marrëveshjes të dyja palët kanë qenë të obliguara që paralelisht të kryejnë punët përgatitore brenda afatit të caktuar në planin operacional për implementim. Përderisa Kosova është në procesin e krijimit të një agjencie teknike e cila do të këtë për detyrë që të bëjë krahasimin dhe verifikimin e dokumentacionet të kthyer nga Serbia, pala tjetër nuk e ka respektuar marrëveshjen për të filluar paralelisht procesin e skanimit.
Kjo marrëveshje përfundimisht mbyll ekzistimin dhe funksionimin e qendrave ilegale paralele të kadastrit që funksionojnë në Serbi.
Poashtu përmes kësaj marrëveshje mundësohet që të kemi një sistem kadastral të kompletuar dhe të besueshëm konform standardeve evropiane. Për më tepër kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve dhe të shtetit, sepse riparohen dëmet e krijuara nga lufta në këtë fushë, duke mundësuar zgjidhjen e kontesteve pronësore të pronave private dhe publike në Republikën e Kosovës.
5. NJOHJA RECIPROKE E DIPLOMAVE UNIVERSITARE – marrëveshja është arritur me 21 nëntor 2011
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka filluar me 1 Mars të këtij viti nga ana e autoriteteve të Republikës së Kosovës me hapjen e zyrës për zbatim në kuadër të MASHT-it dhe në bashkëpunim me SPARK, ndërsa tashmë Asociacioni i Universiteteve Evropiane (AUE) ka filluar me certifikimin e diplomave. Më 26 Korrik 2012 janë certifikuar 73 diploma, kështu që aplikantët mund ti përdorin ato për qëllime studimi apo punësimi. Mbetet të shihet gatishmëria e Serbisë për ti njohur ato, dhe Zyra e dialogut do të bëjë monitorimin në bashkëpunim me institucionet komunale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ndërsa pala Serbe ende nuk e ka themeluar zyrën përkatëse për mbledhjen e aplikacioneve dhe mbetet të shihet në terren zbatimi në tersi kur diplomat e certifikuara nga AUE të dorëzohen për aplikim në institucione në Serbi.
Kjo marrëveshje ka rendësi të veçantë për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi që nëpërmjet saj është arritur njohja reciproke e diplomave universitare mes dy shteteve, dhe është hequr praktika e Certifikimit nga UNMIK-u. Po ashtu me këtë marrëveshje, hapen mundësitë për punësim dhe arsimim të mëtejmë për qytetarët, dhe në veçanti për shqiptarët e luginës së Preshevës, gjë e cila mundëson heqjen e një pengesë për qëndrimin e tyre në trojet shqiptare.
6. MENAXHIMI I INTEGRUAR I KUFIRIT (IBM) – marrëveshja është arritur më 2 dhjetor 2011
Nuk ka progres për të raportuar lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshje përmes së cilës Serbia e ka njohur integritetin territorial të shtetit të Kosovës.
Zbatimi i kësaj marrëveshje është kontribut për paqen, stabilitetin, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimin ndërshtetëror dhe ngritjen e sigurisë në rajon. Protokollin teknik të kësaj marrëveshje Kosova e ka nënshkruar dhe miratuar në Qeveri menjëherë e në anën tjetër Serbia që nga muaji shkurt vazhdon që të mos e nënshkruaj atë duke treguar se nuk e ka vullnetin e duhur politik në dëm të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.
7. BASHKËPUNIMI RAJONAL – marrëveshja është arritur më 24 Shkurt 2012
Marrëveshja për bashkëpunim rajonal zbatohet plotësisht nga ana jonë.
Me këtë marrëveshje, Kosova tashmë ka siguruar përfaqësimin e vet si shtet i pavarur dhe sovran në të gjitha nismat rajonale, flet për vete dhe nënshkruan si shteti i pavarur dhe sovran . Kjo marrëveshje ka bërë që UNMIK-u të largohet nga tavolina e përfaqësimit për Kosovën. Nga rreth 15 takime rajonale që janë mbajtur deri më tani, Kosova ka marrë pjesë në shumicën prej tyre përveç në disa raste kur është keqinterpretuar marrëveshja.
Poashtu MPJ tashmë ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në 34 organizata rajonale ku nga 12 prej tyre kemi përgjigje finale pozitive dhe nga 7 prej tyre përgjigje fillestare, dhe jemi në pritje të përgjigjeve nga organizatat tjera.
Nga ana tjetër, Serbia nuk e respekton këtë marrëveshje si dhe ka përjashtuar veten nga shumica prej takimeve rajonale që janë mbajtur prej së është arritur kjo marrëveshjeje. Megjithëse BE-ja ka bërë interpretimin zyrtar të marrëveshjes në fjalë, Serbia vazhdon ta keqinterpretojë dhe ta shkel këtë marrëveshje e cila ka rëndësi për bashkëpunimet rajonale, paqen dhe stabilitet në rajon. ( Nga gjithsej rreth 15 takime që janë mbajtur deri më tani, Serbia ka refuzuar pjesëmarrjen e saj në 8 prej tyre, ku konstatohet se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen në mas prej 70 % ).
Përfitimet e Kosovës nga Dialogut teknik
Pavarësisht faktit se marrëveshjet e Brukselit mbeten larg zbatimit të plotë, megjithatë dialogu teknik tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane për Kosovën. Me lejoni që të përmend disa nga rezultatet kryesore. Kështu, Marrëveshjet për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave kanë vendosur reciprocitet dhe bashkëpunim ndërshtetëror mes dy vendeve, dhe kanë mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave të Kosovës në dhe nëpër Serbi.
Dialogu teknik pra ka bërë që Serbia pas shumë vitesh të heq bllokadat dhe embargot ndaj Kosovës si dhe të njoh dokumentet shtetërore të udhëtimit, vulat shtetërore të doganave të Kosovës. Për më shumë janë shuar strukturat ilegale paralele serbe në fushën e doganave, të dokumenteve të gjendjes civile, të targave ilegale etj. Dialogu teknik ka mundësuar njohjen reciproke të diplomave universitare përmes certifikimit nga një organizatë evropiane dhe jo nga UNMIK-u siç ka qenë më parë, dhe nga këto veçmas përfitojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Dialogu teknik mundësoi që Kosova tashmë të përfaqësohet dhe anëtarësohet si shtet i pavarur dhe sovran në organizatat dhe nismat rajonale, të flas për veten dhe të nënshkruaj vet, që i dha fund rolit të UNMIK-ut, ndërkohë që me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, Serbia de facto ka njohur integritetit territorial të shtetit të Kosovës.
Në planin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, dialogu teknik së bashku me reformat evropiane të cilat i kemi realizuar me sukses si Qeveri e Kosovës, kanë bërë që Kosova të jetë më afër BE-së dhe NATO-së. Kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare mes Kosovës dhe BE-së, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Associm që filloi me studimin e fizibilitetit dhe udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe po punojmë me përgjegjësi shtetërore për jetësimin e tyre.
Përformanca e suksesshme e Qeverisë në Dialogun teknik ka bërë që imazhi shtetëror i Kosovës të avancojë, si dhe ka bërë që pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, të votojnë pro vendimeve të BE-së për avancimin e integrimit evropian për Kosovën.
Perspektivat e dialogut teknik
Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim sepse ato janë vlera tona kushtetuese, janë pjesë e filozofisë tonë shtetërore dhe demokratike. Ne si Qeveria e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve, nuk mund të vazhdojë dialogu teknik dhe për një qëndrim të tillë kemi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar.
Duke marrë parasysh rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe avancimin e integrimeve evropiane, dua të shfrytëzojë këtë rast që të ftojë BE që të rris angazhimet dhe presionin ndajë Serbisë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet dhe në mënyrë të veçantë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve. Po ashtu dua të ftojë BE-në që të rrisë angazhimet në përmbushjen e vendimeve për Kosovën, përfshirë këtu marrëdhëniet kontraktuale dhe anëtarësimin në BERZH.
Last modified: 12 Gusht, 2012