Zyra e Kryeministrit

Konferencë për media e kryeministrit Hashim Thaçi, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, para nisjes për në Bruksel

1 Prill, 2013

Prishtinë, 1 prill 2013

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, para nisjes për në Bruksel, ku do të zhvillojë takimin e radhës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daciq, me ndërmjetësimin e  përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Catherine Ashton, ka mbajtur një konferencë për shtyp.

Në konferencë, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar:

 
“Nesër do të ndodh takimi i radhës ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në  procesin e  filluar më herët, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet  shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me përkushtimet tona për fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, edhe të vendeve tjera të rajonit. 

Edhe në këtë takim, delegacioni i Kosovës shkon me qëllimin dhe vullnetin e mirë që të arrijmë marrëveshje. Falënderoj gjithë spektrin politik të Kosovës që ishte mbështetës në këtë përpjekje tonë, që bashkërisht me udhëheqje të e BE-së dhe të SHBA-ve, të arrijmë marrëveshje ndërmjet dy vendeve tona.

Kjo marrëveshje do të hap rrugë për normalizim, paqe dhe të mbyll kapitullin e konfliktit ndërsa të hap kapitullin tjetër për perspektivën e bashkëpunimit dhe të integrimeve evropiane, pra që edhe Kosova të ofrohet sa më shpejt që është e mundur të anëtarësohet në BE, NATO dhe në OKB. Në paraqitjen time në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kam kërkuar që të fillohet të punohet për nxjerrjen e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit, që do të pranonte Kosovën si anëtare të barabartë dhe pjesë e OKB-së.

Marrëveshja eventuale, nëse do të arrihet, do të ndihmoj në konsolidimin dhe forcimin e  shtetit të Kosovës, në funksionalizimin e shtetit tonë, funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore në çdo cep të territorit të Kosovës dhe në kuadër të kësaj integrimin e serbëve në veri dhe gjithë atyre që jetojnë atje në institucionet e shtetit të Kosovës dhe në gjithë mekanizmat institucional e shoqëror. 

Me arritjen e marrëveshjes ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë do të kemi edhe mekanizmat  implementues, periudhat kohore por edhe akterët. Nëse arrihet marrëveshja implementues të saj do të jenë institucionet e Kosovës, EULEX dhe NATO. Presim të krijoj një rrethanë lehtësuese edhe Serbia në bazë të obligimeve që mund të dalin nga marrëveshja.

Ne do t’i prezantojmë qëndrimet dhe pozicionet tona të njohura për qytetarët e Kosovës. Nëse arrihet marrëveshja do të kemi lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, do të krijohet ambient i sigurt edhe në veri dhe do të punohet për shpërbërjen e plotë të të gjithë strukturave ilegale të sigurisë.

Në mënyrë aktive do të fillohet me funksionalizimin e sistemit të drejtësisë edhe në veri në përputhje me ligjet e Kosovës dhe do të organizohen zgjedhje në komunat në veri. Zgjedhjet do të lehtësohen, me ftesën e institucioneve të Kosovës, nga OSBE-ja, ndërsa certifikimi do të bëhet nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve. Nga zgjedhjet do të dalin kryetarët e komunave dhe asambletë komunale, e pastaj do të krijohet asociacioni i komunave i cili në asnjë rrethanë nuk do të ketë karakter legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë”.

Në vazhdim të konferencës, kryeministri Hashim Thaçi është përgjigjur edhe në pyetje te gazetarëve:
 
Pyetje: Si do të duket në terren implementimi i marrëveshjes?

Përgjigje: “Kosova ka planin e vet veprues, një plan ky i konsultuar me faktorin ndërkombëtar prezent në Kosovë dhe pjesëmarrës në procesin e dialogut në Bruksel. Do të krijohen kushte për lëvizje të lirë në gjithë territorin e Kosovës dhe këtu nënkuptohet hapja e të gjitha rrugëve për lëvizje të lirë dhe mallrave, marrje të përgjegjësive të përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunim me gjithë faktorët relevant ndërkombëtar.
 
Pyetje: Çka nëse ktheheni pa marrëveshje?
 
Përgjigje: Marrëveshja nuk mund të jetë e njëanshme. Është me rëndësi për delegacionin tonë që qëndrimet tona janë në përputhshmëri me qëndrimet e BE-së dhe në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona. Vullneti ynë është që të arrihet marrëveshje dhe dua të shpresoj që edhe Beogradi do të tregoj përgjegjësi dhe të reflektoj.
 
Pyetje: Nëse Beogradi nuk është i gatshëm të pranoj marrëveshje, a keni plan B?
 
Përgjigje: Shpresoj që Beogradi do të pranojë marrëveshjen, pastaj të punojmë bashkë me faktorin ndërkombëtar për normalizimin e gjendjes në veri.  Tek e fundit, ai është territor yni dhe do të punojmë maksimalisht në bazë të autoritetit kushtetues dhe ligjor për normalizimin e gjendjes atje. Por, normalizimi mes vendeve tona është në interesin e Kosovës, të paqes në rajon, në interes të perspektivës eurotlatnike dhe shpresoj për reflektim në kuptimin pozitiv.

Nëse arrihet marrëveshje, implementimi do të ndodh shumë shpejt. 
 
Pyetje: Vërejtjet në dokumentin e Ashton, a do të pranoni të arrihen marrëveshje nëse nuk merren parasysh vërejtjet?
 
Përgjigje: Jemi takuar shpesh herë në Bruksel, kemi pasur ide të ndryshme sa i përket çështjeve të ndryshme. Gjërat kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Pozicioni ynë ka qenë, është dhe do të mbetet kushtetues dhe qëndrim në përputhje me ligjet e Kosovës, andaj edhe sot si delegacion pozicionin e kemi shumë të qartë.  Ne do të respektojmë Kushtetutën në plotëni për funksionalizimin e plotë të shtetit tonë në çdo cep të territorit tonë.
 
Pyetje: Me çfarë çmimi do të paguajë Serbia refuzimin e marrëveshjes?
 
Përgjigje: Me çmimin e vonesës së integrimeve euroatlantike.

Last modified: 1 Prill, 2013

Comments are closed.