Prishtinë, 3 nëntor 2010
Në vazhdim po japim të plota fjalët e kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Erdogan:
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
I nderuar kryeministër i Turqisë, z.Erdogan,
Ju dëshiroj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, popullit të saj, mirëseardhje në republikën e Kosovës, në vendin tuaj mik, një mirëseardhje vëllazërore në Republikën e Kosovës, pasi që jeni edhe kryeministri i parë i Turqisë që vizitoni Kosovën, dhe në të njëjtën kohë jeni edhe njeriu i parë që keni marrë vendimin në emër të një shteti botëror për të njohur Republikën e Kosovës.
Ky është një falënderim në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, falënderim i gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, faleminderit për vendimin tuaj!
Ne sot po ndërtojmë Kosovën demokratike, multietnike, atdhe të ët gjithë qytetarëve të saj, Kosovën tolerante, të bashkëpunimit ndërfqinjësor me gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, dhe në të ardhmen e afërt edhe me Serbinë si dy shtete të pavarura.
Për mua dhe popullin e Kosovës, sot është një ditë e veçantë, sepse të mirëpresim në Kosovën e pavarur, mikun, mbështetësin e fuqishëm të këtij realiteti të Kosovës, por edhe të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Prandaj, roli juaj personal dhe i Turqisë do të jetë i mirëpritur gjithmonë në këto angazhime.
Ka qenë dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi në mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë, bashkëpunime këto shumë të rëndësishme ndërshtetërore, kulturore e fetare, lidhje këto që do të forcohen sot, por edhe në të ardhmen.
I nderuari Kryeministër,
Më lejoni të shpreh falënderimin tim për prezencën e gjithë ushtarëve të Turqisë në kuadër të KFOR-it. Dëshiroj të të falënderoj për prezencën e njerëzve, ekspertëve, profesionistëve të Turqisë në kuadër të EULEX-it e gjithashtu të misioneve tjera ndërkombëtare në republikën e Kosovës, për bashkëpunimin shumë të ngushtë në nivel akademik, do me thënë në shkëmbimin e studentëve gjithashtu.
Ne në Akademinë Policore të Turqisë kemi nëntë kadetë nga Kosova, për çka ju falënderoj për gatishmërinë që keni treguar për t’i pranuar, si dhe dëshiroj t’ju falënderoj shumë për mbështetjen e plotë në aktivitetet në Kosovë të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar – TIKA.
Gjithashtu, me kënaqësinë më të madhe e konfirmoj se pikërisht ky bashkëpunim yni, mes Kosovës dhe Turqisë, mbështetje edhe juaja personale, e bashkëpunëtorëve tuaj dhe krijimi i kushteve e mundësive, si dhe hapësirave kreative për biznesin, ka bërë që nga Turqia të kemi investitorë të fuqishëm në Republikën e Kosovës, të cilët disa janë edhe prezentë sot në Kosovë, e ka interes për të ardhur edhe në të ardhmen. Prandaj, dëshiroj sot të theksoj se janë shumë të mirëpritur edhe në ardhmen, siç janë prezentë në implementimin e projekteve madhështore në republikën e Kosovës, pra në ndërtimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të Merdares, gjithashtu në procesin e koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në procesin e energjetikës, të procesit të privatizimit të Telekomit të shumë e shumë sferave tjera të rëndësishme për investime në Kosovë.
I nderuari Kryeministër, z.Erdogan,
Kosova është shtet i ri, por shtet i mundësive të mëdha dhe gjithë investitorët kanë qenë, janë dhe do të mbesin të mirëpritur.
Faleminderit për mbështetjen dhe vizitën tuaj!
Fjala e kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan:
Shpreh kënaqësinë që si kryeministër i parë i Turqisë po e vizitoj Kosovën e pavarur dhe demokratike.
Jam këtu pas dy vjetëve të pavarësisë dhe kam zhvilluar takimin kokë më kokë me kryeministrin dhe në mes të dy delegacioneve të vendeve tona. Me këtë rast kemi diskutuar dimensionet politike, ekonomike, ato të sigurisë, historike dhe kulturore, si dhe shfrytëzuam rastin që të gjitha këto dimensione ti vlerësojmë në planin bilateral.
Shpallja e pavarësisë ka koinciduar me takimin e Këshillit tonë të ministrave dhe ne e pranuam këtë si fakt që duhet ta mbështesim dhe ta përkrahim këtë akt të institucioneve tuaja legjitime.
Kam bindjen se pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, do të hapet një proces i ri dhe do të ndikojë një drejtim të ri të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.
Unë mendoj se kemi zhvillime te reja te të dyja palët, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd.
Turqia është e gatshme që të marrë detyrat në proceset e ardhshme me dëshirë të marrim detyrat që kanë të bëjnë me stabilitetin e rajonit dhe Ballkanit.
Sa i përket bashkëpunimit në mes të dy vendeve, ne kemi ofruar mbështetjen tonë dhe jemi të vetëdijshme për detyrën që kemi për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit dhe anëtarësimit të saj në NATO.
Prania e kontingjentit ushtarak turk në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, ka për mision përveç sigurimit të paqes në Kosovë, edhe trajnimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Turqia ka pranuar një numër të rinjsh kosovarë që të shkollohen dhe trajnohen në akademitë policore të Turqisë, dhe jemi të bindur që ata një ditë do të jenë një gurë i rëndësishëm i ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Marrëdhëniet ekonomike në periudhën 2008-2009, pavarësisht krizës globale, këmbimi tregtar midis dy vendeve tona ka shënuar rritje, nga 120 milion dollar arriti në 210 milion dollar.
Duhet ët përmendim edhe investimet e firmave të Turqisë në kuadër të konzorciumeve, siç është ai i Bechtel& Enka në ndërtimin e korridoreve rrugore të rëndësishme për rajonin, dhe konzorciumi LIMAK, që ka marr përsipër administrimi n dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës.
Kemi edhe hapa që kanë hedhur sipërmarrësit turq në sektorin e energjisë për ndërtimin e centraleve termike për prodhimin e energjisë elektrike dhe besoj se suksesi i tyre në këtë fushë do të kontribuojë në përmirësimin e prodhimtarisë së energjisë elektrike në Kosovë.
Kosova ka edhe një mundësi të sigurimit të të ardhurave edhe në fushën e turizmit. Kosova ka shumë bukuri të rralla dhe trashëgon një mori monumentesh kulturore dhe historike.
Ne, përmes Agjencionit Turk për Rindërtim dhe Zhvillim – TIKA, jemi të interesuar që të bëjmë rikonstruimin e një varg objektesh kulturore dhe historike që do ta bëjnë këtë vend edhe më atraktiv dhe pikë graviteti për sa i përket aktiviteteve kulturore.
Përvoja jonë e zhvillimit të turizmit tregon se investimi në infrastrukturën turistike tregon se mund të shfrytëzojë dhe të rrisë për shumëfish të hyrat nga turizmi.
Ne vazhdojmë të mbështesim bashkëpunimin vëllazëror edhe në këtë fushë në mes të dy vendeve.
Unë dhe vëllai im Thaçi, në bisedat që kemi zhvilluar edhe në Ankara, por edhe në takimin e sotëm, jemi zotuar që të vazhdojmë këtë unitet në bashkëpunimin midis vendeve tona dhe që Kosova të ketë një të ardhme më të fuqishme dhe më të begatë.
Në emrin tim dhe të qeverisë së vendit tim ju falënderojë shumë për mikpritjen tuaj!
Last modified: 3 Nëntor, 2010