Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për media – Përfundoi raundi i tetë i dialogut teknik

3 Dhjetor, 2011

3 dhjetor 2011

Raundi i tetë i dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve, ka zgjatur tre ditë dhe ka rezultuar me marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe me përparime lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e kaluara.

Në këtë raund është provuar ti jepet zgjidhje poashtu çështjes së Bashkëpunimit Rajonal, Telekomunikacionit dhe Energjisë, por pasukses ngase pala serbe ka treguar jogatishmëri duke u përpjekur që të propozoj zgjidhje në shpërputhje me realitetin në Kosovë dhe rajon si dhe në kundërshtim me parimet evropiane.
Delegacioni Republikës së Kosovës është angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve në dobi të interesave shtetërore të Kosovës si dhe në përmbushje të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri njëherit edhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik, edhe në këtë raund të dialogut, ka këmbëngulur për implemetimin e plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura deri në dialogun teknik, ku me këtë rast janë zhvilluar edhe takime në nivel ekspertësh që kanë konfirmuar se marrëveshja për kthimin e librave amëz do të fillojë së zbatuari nga data 5 dhjetor dhe ajo për lirinë e lëvizjes nga data 26 dhjetor 2011. Poashtu edhe për marrëveshjet tjera janë hartuar planet e veprimeve dhe zbatimi i plotë i tyre do të bëhet sipas dinamikës së përcaktuar.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, është arritur në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjit dhe strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, dhe plotësisht në frymën e standardeve të larta evropiane dhe në përputhje me Traktatin e Lisbonës, legjislacionin dhe kritereve BE-së.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunimin mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, sipas konceptit evropian për menaxhimin e kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve dhe se me pranimin e marrëveshjes Serbia praktikisht ka njohur kufirin ndërshtetëror me Kosovën. Shteti i Kosovës tashmë zbaton marrëveshje të tilla me shtet tjera fqinje, Maqedoninë dhe Shqipërinë, si dhe së shpejti pritet të nënshkruhet marrëveshja me Malin e Zi.

Kjo marrëveshje ndihmon në përafrimin tonë me BE-në dhe e konfirmon agjendën e BE-së për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Zbatimi i kësaj marrëveshje i kontribuon funksionimit më të mirë të sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës e me theks të veçantë në zonën kufitare ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja ka për qëllim sigurinë më të lartë kufitare sipas praktikave më të mira evropiane të cilat avancojnë në mënyrë progresive nga Komisioni Evropian.

Menaxhimi i Integruar të Kufirit, do të zbatohet në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë, dhe konform legjislacionit të secilit shtet. Kjo do të zbatohet sa më parë që është e mundur nga aspekti praktik dhe për këtë qëllim do të hartohet dhe nënshkruhet edhe Protokolli Teknik.

Marrëveshja në fjalë mohon kategorikisht çdo përpjekje të Serbisë për ta politizuar konceptin evropian të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, e poashtu shprehimisht hedhë poshtë pretendimet e palës serbe për të imponuar zgjidhje që kanë implikime politike dhe që dalin jashtë standardeve evropiane për këto çështje.

Për marrëveshjet e Bashkëpunimit Rajonal, Energjisë dhe Telekomunikacionit, si dhe në përcjellje të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, konsultimet e delegacionit të Kosovës me ndërmjetësit e BE-se do të vazhdojnë në ditët në vijim.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në këtë raund është shoqëruar nga Lirim Greiçevci dhe Dren Zeka – këshilltarë të dialogut. Ekspertët: për çështjen e Menaxhimit të Integruar të Kufijve, Fisnik Rexhepi – këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme, Shaban Guda – ndihmësdrejtor për policinë kufitare i Policisë së Kosovës dhe Naim Huruglica – drejtor i Doganave të Kosovës, dhe ekspertët për Lirinë e Lëvizjes, Flamur Mrasori – shef i kabinetit të Guvernatorit të Bankës Qendrore dhe Rrahim Pacolli – kryetar i Bordit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës  

**********************************************************

Konkluzionet e Dakorduara të IBM -it

1.     Në përputhje me Traktatin e Lisbonës dhe legjislacionin relevant të BE-së  dhe duke pasur parasysh se të dy palët janë pjesë e agjendës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, atyre do t’ju kërkohet që gradualisht të harmonizojnë legjislacionin e tyre më atë të BE-së dhe në veçanti ta zbatojnë konceptin e IBM-it;
 
2.    Në interes të procesimit më të shpejtë dhe më efektiv, palët, nën drejtimin e përgjithshëm të BE-së, do ta zbatojnë konceptin e IBM-it;

3.    Palët kanë për qëllim që të instalojnë gradualisht objekte të përbashkëta dhe të sigurta në të gjitha vendkalimet e tyre të përbashkëta të IBM-it. Ky bashkëpunim do t’i ndjek praktikat më të mira evropiane të cilat janë duke u zhvilluar më tutje në mënyrë progresive nga Komisioni Evropian. Kësaj pune do t’i jepet prioritet i lartë; projektet do të identifikohet bashkërisht dhe do të zbatohen sa më parë që praktikisht të jetë e mundur.

4.    Objektet e përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta do të vendosen përbrenda një “zone të përbashkët të vendkalimeve të IBM-it,” të shënjuar bashkërisht, ku zyrtarët e secilës palë kryejnë kontrollet përkatëse. Përjashtimisht dhe kufizuar vetëm në zonat e përbashkëta të vendkalimeve të IBM-it, palët nuk do të shfaqin simbolet e juridiksioneve të tyre përkatëse.

5.     Aranzhimet do të përfshijnë një prani të balancuar, në përputhje me nevojat, nga të dy palët të shërbimeve përkatëse siç janë Doganat, Policia, etj. dhe do të përfshijnë çështje siç janë lokacioni, vendkalimet, natyra e objekteve përcjellëse, orari i punës etj. Në përputhje dhe gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij , në vendkalimet Jarinjë/Rudnicë dhe Tabavije/Bërnjak, kjo prezencë do të përfshijë zyrtarë të EULEX-it. EULEX-i do të jetë i pranishëm poashtu në vendkalimet Dheu i Bardhë/Konçul, Merdare/Merdarë, Mutivodë/Mutivode dhe Depce/Muçibabë;

6.    Në thelb të marrëveshjes do të jenë përgjegjësitë dhe detyrimet e qarta ligjore në fuqi sipas juridiksionit të secilës palë.

7.    Një grup trepalësh implementues, kryesuar nga BE, do të formohet për zbatimin e marrëveshjeve të lartpërmendura, sa më parë që praktikisht është e mundur. Për këtë qëllim një Protokoll Teknik do të hartohet dhe nënshkruhet, nëse është e nevojshme ndarazi me BE-në, i cili do t’i marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme të palëve lidhur me çështjen e statusit. Implikimet e këtyre konkluzioneve do të merren parasysh në zbatimin e lirisë së lëvizjes.

8.    Kjo marrëveshje nuk përfshinë asnjë çështje të përgjithshme ose të veçantë që ka të bëjë me çështjet e të hyrave apo ato fiskale;

Shkarko si PDF

Last modified: 3 Dhjetor, 2011

Comments are closed.