Zyra e Kryeministrit

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike i Republikës së Kosovës dhe Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore e Mbretërisë së Bashkuar nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

11 Mars, 2010

Prishtinë, 11 Mars 2010

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, vitin e kaluar, si rezultat i shtetësisë së Kosovës. Detyra kryesore e këtij komisioni është puna në rritjen e sigurisë së aviacionit civil dhe hetimi i aksidenteve apo incidenteve eventuale në aviacion.

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, pas një angazhimi disa mujor, ka  nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Degën e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.

Memorandumi është nënshkruar nga kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Republikës së Kosovës, Kreshnik Gashi dhe Kryeinspektori i Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, David King.

Me nënshkrimin e  kësaj marrëveshjeje plotësohet kuadri ligjor i paraparë me Ligjin për Aviacionin Civil, i cili përcakton se për shërbimet e hetimit të aksidenteve duhet të lidhet një kontratë me një autoritet kredibil profesional.

Marrëveshja mundëson që këto shërbime, në rast nevoje, do të ofrohen nga pala nënshkruese – Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore e Mbretërisë së Bashkuar, institucion me prestigj të lartë ndërkombëtar. 

Me anë të këtij memorandumi, si pjesë e trajnimit për anëtarët e KHAIA, atyre i mundësohet pjesëmarrja në hetime të aksidenteve ajrore të kryera nga Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.

Shërbimet e hetimit të aksidenteve dhe incidenteve aeronautike i ofrohen Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Republikës së Kosovës pa pagesë gjë që ndikon në kursimin e buxhetit të  Zyrës së Kryeministrit. 

Për arritjen e kësaj marrëveshjeje KHAIA, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, falënderon në mënyrë të veçantë  udhëheqësit e Degës së Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin dhe asistencën e ofruar

Last modified: 11 Mars, 2010

Comments are closed.