Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në Bruksel, për dy ditë bisedime me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Në përfundim të këtyre takimeve, Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë të drejtpërdrejtë telefonike me Kryeministrin Thaçi, në programin televiziv “Ditari”. Zoti Thaçi tha mes të tjerash, se është konfirmuar tashmë, se Uashingtoni dhe Brukseli do të shkojnë bashkarisht dhe njëkohësisht drejt vendimit për njohjen e statusit politik të Kosovës, pas deklaratës së pavarësisë që do të nxjerrë Parlamenti i Kosovës në ditët në vijim.
Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju jeni shprehur se pavarësia e Kosovës është çështje ditësh. Në takimet që keni patur dje dhe sot me zyrtarët e lartë evropianë, a u diskutua çështja e datës se kur do të shpallet pavarësia?
Hashim Thaçi: Natyrisht, se kemi biseduar për të gjitha zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin e ngushtë mes Prishtinës dhe autoriteteve e Brukselit. Edhe me takimin që kam patur me zotin Rupel dhe me zotin Olli Rehn, por edhe me takimin që pata me zotin Solana, kam rikonfirmuar qëndrimin e institucioneve të Prishtinës, qëndrimin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur, sovran dhe demokratik; kam rikonfirmuar pozicionin e Kosovës, se Prishtina është gati, është e përgatitur dhe është unike për vendim; tanimë është konfirmuar se Uashingtoni dhe Brukseli do të shkojnë drejt vendimit bashkarisht, me vendimin e përbashkët, në kohë të njëjtë, për njohjen e statusit politik të Kosovës, për njohjen e deklaratës së pavarësisë që do nxjerrë Parlamenti i Kosovës në ditët në vijim; prandaj, ka qenë një vizitë shumë e suksesshme, një vizitë që do të hapë perspektivë, edhe për procesin vendim-marrës, edhe për procesin implementues dhe në të njëjtën kohë, janë angazhimet tona integruese për në strukturat e BE-së dhe të NATO-s.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, a është caktuar një datë dhe nga çfarë kushtëzohet ajo?
Hashim Thaçi: Pavarësia e Kosovës nuk kushtëzohet me asgjë. Kanë mbetur edhe disa aspekte procedurale në proces për t’u kryer, në mënyrë që Kosova të dërgojë mesazhin e mirë, pozitiv dhe pamja e parë për ditën e pavarësisë së Kosovës është mjaft me rëndësi edhe për Kosovën, për qytetarët e vendit, për botën demokratike, prandaj, janë duke u kryer të gjitha përgatitjet e duhura në Kosovë, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë, në mënyrë që të kemi edhe shpallje të suksesshme, edhe njohje kualitative, të gjithanshme të autoriteteve vendim-marrëse botërore, dhe në të njëjtën kohë të kemi një situatë të qetë, paqësore, një situatë që hap perspektivë për integrimin e Kosovës, që hap perspektivë për mbështetje të fuqishme edhe për fillimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Nga bisedat që keni patur në Bruksel, kur pritet të vendoset misioni i sigurisë i BE-së në Kosovë?
Hashim Thaçi: Me rëndësi është, që ky mision është i përgatitur, dhe tani vetëm pritet në ditët në vijim të angazhimeve tona, të insitutcioneve të vendit; tash do të kemi diskutime edhe në Parlament dhe natyrisht, edhe me Presidentin, me qëlllim që në mënyrë unike të vazhdojmë t’i nxjerrim vendimet; misioni i ri ndërkombëtar është i mirëpritur në Kosovë, është i mirëseardhur; do të kemi prezencë autoritative në tërë territorin e Kosovës, ashtu sikurse do të pasojmë edhe me ushtrimin e autoriteteve të vendit në tërë territorin e Kosovës, me prezencën e NATO-s; do të kemi procesin e kalimit të këtyre detyrave nga forca ndërkombëtare, në ushtrimin e autoritetit të institucioneve legjitime të Kosovës; do të kemi tani një rol mbështetës, për lidershipin kosovar dhe të udhëhequrit e vendit. Dhe natyrisht, që do të kalojmë edhe tranzicionin nga UNMIK-u në misionin e ri ndërkombëtar, në mënyrë që ky proces të kalojë sa më shpejt që është e mundur, të jetë sa më efektiv dhe asesi, mos të kemi dy adresa civile ndërkombëtare në Kosovë, por të kemi një adresë, adresën e misionit të ri ndërkombëtar mbështetës, për ndërtimin, fuqizimin e institucioneve të vendit dhe krijimin e realiteteve shumë më pozitive, për fillimin e zhvillimit më të mirë ekonomik, të jetës më të mirë të qytetarëve, dhe në të njëjtën kohë, të kalojmë nga procesi i vetëm prezencës ndërkombëtare në Kosovë, tek angazhimet e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, do të thotë në OKB, në NATO, në strukturat e BE-së, në Bankën Botërore, në FMN dhe institucione të tjera.
Zëri i Amerikës: Qeveria e Beogradit njoftoi ditët e fundit se ka tashmë një plan veprimesh, në se Prishtina e shpall pavarësinë. A është qeveria juaj e përgatitur për përballimin e atyre masave të këtij plani që prekin Kosovën?
Hashim Thaçi: Deri më tani, Kosova ka ngadhnjyer mbi çdo plan të Serbisë, por ne nuk kemi ndërtuar një plan të reagimit, por të përgjigjes në rrethanat e reja që mund të krijohen dhe ky plan është i përbashkët, plani i Kosovës, i administratës ndërkombëtare dhe plani i NATO-s. Plani ynë është i fuqishëm, është realist, është një plan i implementueshëm, është një plan që do të ketë sukses, për t’iu përgjigjur rreathanave të reja që do të mund të krijohen.
Last modified: 24 Janar, 2008