I nderuari kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërrnava,
Të nderuar zotërinj,
Kam nderin që si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës të marr pjesë në këtë iftar të shtruar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Që në fillim shpreh besimin që Perëndia e Gjithfuqishme dhe Mëshirëplotë do ta bekojë dhe aprovojë vullnetin tuaj për këtë ditë të agjëruar.
Muaji i Ramazanit dhe mesazhi filozofik e jetësor që del prej tij, paraqesin vlera të larta shpirtërore, kulturore dhe humane për besimtarët islamë, kudo që jetojnë.
Agjërimi në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, përpos obligim fetar, është sprovë e besimtarit me disiplinën, urtësinë, durimin, vetëpërmbajtjen, njohjen e vetvetes dhe përkushtimin ndaj vlerave hyjnore.
Prandaj agjërimi e fisnikëron njeriun, e largon të ligën nga zemrat tona, dhe besimtarët i bën këmbëngulës për të përqafuar të mirën, të mbarën dhe të dobishmën.
Muaji i Madhërishëm i Ramazanit është lutje për paqe, harmoni, dashuri dhe respekt të ndërsjellë në familje, në shoqëri dhe në mbarë botën, kudo që jeton njerëzimi, pa dallim race, kulture dhe religjioni.
Të nderuar zotërinj,
Ashtu ju, edhe unë jam krenar që shteti ynë, Kosova dhe qytetarët e saj shquhen për kultivimin e ndjenjave fetare dhe respektimin e besimeve fetare, si e drejtë elementare, e garantuar me Kushtetutë.
Besimtarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë religjioze kanë ruajtur unitetin qytetar, kombëtar dhe politik në shërbim të idesë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Mirësia, mirëkuptimi, shpirtgjerësia, solidariteti, hapja ndaj njëri-tjetrit dhe respektimi i ndërsjellë duhet ta përshkojnë mendimin dhe veprimin tonë.
Duke besuar në vlera të larta shpirtërore, ne e arrijmë qëllimin e ekzistencës së njeriut, krijojmë shoqëri të shëndoshë dhe hapim perspektivë për gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë pas nesh.
Prandaj sot, çdo e arritur e vendit tonë mbështetet edhe në vlerat e besimit dhe përkushtimit tonë të përbashkët për ta ndërtuar një Kosovë të lirë, të zhvilluar, demokratike, të bashkuar, të qetë, tolerante dhe në miqësi me popujt dhe shtetet përreth.
Një Kosovë, e cila në saje të angazhimit tonë të përditshëm dhe të përgjegjshëm, së shpejti do të bëhet pjesë e botës demokratike e dhe e institucioneve euroatlantike, e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
Gëzuar!
Last modified: 6 Gusht, 2012