Prishtinë, 26 korrik 2010
Të nderuar të pranishëm dhe ju të nderuar anëtarë të Këshillit Nacional për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të shpreh falënderimet për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim.
Jemi këtu për të rikonfirmuar se Qeveria e Republikës së Kosovës por edhe vet shoqëria jonë mbetet e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve për të arritur standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe të siguroj që normat e pranuara për Personat me Aftësi të Kufizuara po zbatohen dhe respektohen edhe në vendin tonë.
Këshilli Nacional për Personat më Aftësi të Kufizuara është mekanizëm institucional që ka karakter konsultativ dhe rekomandues për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe i cili siguron që nevojat dhe interesat e personave me aftësi të kufizuar të merren gjithmonë parasysh.
Andaj për mua është kënaqësi që mund t’ju drejtohem me këtë rast dhe me pak fjalë t’ju informoj më për së afërmi për sa i përket respektimit të të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, dhe hapave që Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë në drejtim të respektimit të tyre.
Si rezultat i këtij angazhimi Qeveria e Republikës së Kosovës ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt arritjes dhe realizimit të objektivit kryesor të Qeverisë për krijimin e kushteve dhe mundësive të barabarta për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, me rastin e aprovimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara (2009-2011).
Nga ky moment me seriozitetin më të madh Qeveria e Republikës së Kosovës dhe vet shoqëria jonë është duke bërë hapa konkret shumë të rëndësishum në realizimin e të gjitha objektivave të parapara me Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara:
– Kemi arritur që me Ligjin për ndihmë financiare familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuar, të përfitojnë 2,182 fëmijë me aftësi të kufizuar;
– njëkohësisht në agjendën ligjislative të vitit 2010 të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi përfshirë hartimin e Ligjit për Personat e Verbër dhe me të Parë të Dobësur si dhe Ligjit për të Drejtat e Njeriut i cili gjithashtu do të ndikojë në fushën e aftësis së kufizuar;
– Është krijuar Grupi Punues i cili është në procedurë të finalizimit për Zyrtarizimin i Gjuhës së Shenjave Kosovare me qëllim që kjo gjuhë të jetë e përfshirë në të gjithë legjislacionin kosovar në mënyrë që të sigurohen të drejtat gjuhësore për Personat e Shurdhër në të gjitha aspektet e jetës.
– Është përuruar ambulant- lifti për personat me aftësi të kufizuara për qasje në aeroportin e Prishtinës.
– Gjithashtu në vazhdimësi janë shënuar të gjitha datat e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara duke përfshirë Ditën për Mundësi të Barabarta ku Kosova i’u është bashkuar vendeve të shumta të botës duke mundësuar që për disa ditë në pozita të ndryshme të angazhojë student dhe punëkërkues me aftësi të kufizuara.
Zyra e Kryeministrit gjithashtu është duke bashkëpunuar me shumë organizata jo qeveritare që merren me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar si: Shoqata e të Verbëreve të Kosovës, Hendikos, Shoqata e të Shurdhërve të Kosoves, Down Sindrom Kosova, Hendikep Kosova e shumë të tjera. Ne këtë kuadër janë përkrahur projekte që realizohen në të mirë të tyre, projekte si:“Avokimi për programin – Edukimi i Hershëm për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara” “Të përfundojmë diskriminimin institucional duke promovuar zërin e personave me aftësi të kufizuar në media” “Aftësimi për jetë sipas programit bashkëjetesa me përkrahje” etj.
Gjithsesi i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi jonë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar me Forumet Evropiane dhe Botërore të Aftësisë së Kufizuar si dhe të Federatave të kategorive të ndrysheme të aftësisë së kufizuar, ku Kosova është vlerësuar si një vend që është mjaft e angazhuar në shtjellimin e drejt të çështjes së aftësisë së kufizuar.
Vlen të theksohet edhe projekti në mbështetje për zbatimin e “Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar” me pilot projektin në Gjilan i cili është duke u realizuar nga Italian Cooperation nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë/Zyrën e Kryeministrit. Qëllimi i këtij projekti është të kontribuojë në përfshirjen sociale të Personave me Aftësi të Kufizuara përmes aktiviteteve duke përfshirë informimin, ndërgjegjësimin, trajnimet, përmirësimin e qasjes në ndërtesa, shkolla që janë disa nga aktivitetet që do të realizohen në kuadër të këtij projekti.
Pra Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit po luan një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e gjithë procesit të koordinimit, raportimit dhe vlerësimit të implementimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara së bashku me Komitetin Drejtues që përbëhet nga aktorë të institucioneve dhe shoqërisë civile.
Mirëpo, përkundër këtyre dhe të arriturave të tjera që janë duke u bërë në këtë fushë, neve bashkërisht na mbetet ende shumë punë për të bërë. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të dorëzohemi para sfidave, përkundrazi Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në përmbushjen e synimit që Personat me Aftësi të Kufizuara të trajtohen me dinjitet dhe të mos mbesin të margjinalizuar por të jenë pjesëtar të barabartë dhe aktive të shoqërisë tonë.
Në përfundim, mund të themi se qëllimi dhe detyra jonë si pjesë e këtij mekanizmi është të sigurojmë respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe zbatimin e ligjeve në fuqi përmes nxitjes së bashkëpunimit të mirëfilltë të institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Për më shumë, ne sot do të degjojmë nga Ministritë e linjës për progresin dhe vështirësitë që kemi në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftesi të Kufizuar.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj
Last modified: 26 Korrik, 2010