Prishtinë, 11 janar 2008
Urime për detyrën e marrë dhe për përgjegjësitë për t’i shërbyer me nder vendit!
Besoj shumë në seriozitetin tuaj, sinqeritetin, përkushtimin dhe aftësitë profesionale. Unë do të krijoj ambient për punë dhe mundësi që ju t’i shprehni idetë dhe projektet tuaja, të cilat do të miratohen në mbledhjet e Qeverisë.
Do ta respektoj secilin prej jush, dhe kjo qeveri nuk do të jetë e ndonjë partie politike, por e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për mua të gjithë jeni ministra të Qeverisë së Kosovës dhe nuk bëj dallime partiake e as etnike. Kërkoj edhe nga ju që të bëni të njëjtën gjë dhe të keni raporte dhe konsultime të vazhdueshme me njëri tjetrin, si dhe ta konsideroni qeverinë si unike.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin punë të mëdha dhe në dobi të jetës më të mirë të tyre dhe në dobi të vendit tonë. Premtimet e dhëna nga të gjithë ne duhet të realizohen. Do të jemi te përgjegjshëm për punën që bëjmë që nga respektimi i orarit të punës e deri te projektet që kërkojnë angazhim të të gjithë njerëzve në qeveri dhe jashtë saj.
Duhet ta menaxhojmë në mënyrë të kujdesshme kohën, projektet dhe idetë tona dhe ato që vijnë nga të gjithë qytetarët. Do të jemi të kujdesshëm në shfrytëzimin e buxhetit të vendit tonë duke dhënë llogari për secilin cent të shpenzuar. Buxheti është djersë dhe pasuri e qytetareve tanë dhe duhet të jemi shumë të përgjegjshëm para tyre dhe ligjit. Unë këtu kërkoj rigorozitet të plotë që nga vetja ime, por edhe nga të gjithë ju dhe stafi që punon në qeveri.
Keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i buxhetit do të ndëshkohet nga unë si kryeministër dhe do të ndiqet me ligj. Shumë shpejt do te nxjerrim një rregullore për shpenzimet e lejuara dhe do të ndalet periudha e shpenzimeve pa nevojë. Ato do të bëhen vetëm kur janë te domosdoshme. Dua që nesër të më dërgoni raportin e shfrytëzimit të automjeteve në ministritë tuaja. Nuk guxojmë që buxheti ynë të shpenzohet në shpenzime lukse kur kemi shume nevoja dhe shumë njerëz në gjendje të rëndë sociale. Pozita e të udhëhequrit në qeveri të mos kuptohet si privilegj, por si përgjegjësi dhe nder. Në shfrytëzim racional dhe menaxhim të përgjegjshëm të buxhetit pres së pari shembullin tuaj personal. Kërkoj një punë të shtuar dhe serioze të të gjithë stafit civil në qeveri dhe se ata duhet te respektojnë ligjin dhe kontratën e nënshkruar. Ndaj tyre nuk do te këtë qasje politike dhe partiake nga asnjëri prej nesh. Ata duhet të jenë të përgjegjshëm dhe profesional në punën që bëjnë.
Nga sot kërkoj të bëni gjerat e mësipërme dhe deri në mbledhjen e radhës të qeverisë të bëni këto gjera:
a) Rishikimin e buxhetit për ministritë tuaja dhe të koordinoni me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave që në mbledhjen e radhës të kemi mundësinë që ta bëjmë këtë si qeveri;
b) Të përgatitni draftligjin për Qeverinë për çka autorizoj dy zëvendëskryeministrat dhe ministren e Drejtësisë;
c) Të bëni dhe sillni raportet për pranim-dorëzimin e gjendjes në ministritë tuaja;
d) Të sillni planin e punës të ministrive tuaja për njëqind ditët e para që ta harmonizojmë me projektet e paraqitura nga unë dhe ta bëjmë një plan të punës për tremujorin e parë, e pastaj edhe për me gjatë. Këto janë punët që kërkohen nga ju që të bëhen brenda javës dhe
e) Të sillni planin për agjendën legjislative për ministritë tuaja.
Faleminderit dhe punë të mbarë!
Last modified: 11 Janar, 2008