Shkup, 22 Nëntor 2008
I nderuar kryeministër Gruevski,
I nderuar kryeministër Berisha,
Të nderuar kryetarë të akademive të shkencave, të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë,
Të nderuar ministra, deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Njëqind vjet më parë në qytetin e Manastirit intelektualë të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, publicistë, studiues dhe veprimtarë të deleguar nga shoqata të ndryshme kulturore e përmbyllën një problem madhor të kulturës kombëtare, alfabetin e gjuhës shqipe me Kongresin e Manastirit.
Në fundin e Perandorisë Osmane, mes trysnive të gjithanshme, shqiptarët po projektonin krijimin e shtetit të pavarur.
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit ishte ngjarje më e madhe historike.
Rilindja jonë Kombëtare është shpërthimi më i rëndësishëm kulturor dhe politik i shekullit nëntëmbëdhjetë.
Ajo krijoi bazë të fuqishme për ndërgjegjen historike, pa të cilën nuk mund të bëhet interpretimi i së kaluarës, kuptimi i së tashmes dhe projektimi i së ardhmes.
Nëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte kulmi më i lartë i organizimt politik dhe ushtarak për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, ishte veprimtaria e palodhshme e rilindësve tanë ajo që krijoi frymën kulturore, shpirtërore dhe politike të Rilindjes Kombëtare.
Në mungesë të institucioneve qendrore, si pasojë e pushtimit shekullor, intelektualët shqiptarë ishin të shpërndarë në vende anembanë botës, në klube dhe shoqata të ndryshme kulturore.
Por, ata kishin një synim, njohjen e identitetit, krijimin dhe ruajtjen e ndërgjegjes kombëtare.
Prandaj, sot kultura dhe qytetërimi ynë krenohen me emrat që në shekujt më të errët e kultivuan shkrimin shqip, duke përkthyer e botuar libra të ndryshme, duke nxjerrë revista e gazeta, duke lënë gjurmë dhe shenja të rëndësishme, pa të cilat kultura jonë do të ishte e varfër, dhe vetë ekzistenca e kombit e rrezikuar.
Pesëqind vjet para Kongresit të Manastirit kultura shqiptare ishte shkëputur dhunshëm nga rrjedhat e qytetërimit perëndimor.
Duke përjetuar sundimin nga administratat e jashtme, një pjesë e madhe rilindësve tanë të shpërndarë nëpër botë, por edhe ata që vepruan brenda, nuk i reshtën përpjekjet për emancipimin politik dhe kulturor të kombit të tyre.
Ata vepruan nëpër qendra të ndryshme kulturore, përdorën alfabete të ndryshme dhe variante të ndryshme gjuhësore.
Por, nuk hoqën dorë kurrë nga synimi për unitetin shpirtëror dhe kulturor, si përbërës themelor të qenies kombëtare shqiptare.
Në fillim të shekullit 20, kur në horizont po shpërbëhej Perandoria Osmane, në Manastir u mblodhën intelektualë, publicistë dhe atdhetarë me shpirt dhe mendje të ndritur.
Delegatët e Kongresit me objektivitet shkencor e nën dritën e përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, me kompromisin e veprimtarëve, me angazhimin plot sakrifica të intelektualëve e gjuhëtarëve të kohës, – u ngritën mbi logjikën fragmentare, mbi psikologjinë krahinariste, mbi përkatësinë fetare, dhe morën vendim të interesit mbarëkombëtar.
Vetë jeta dhe përcaktimi properëndimor i qenies kulturore dhe politike shqiptare e përqafoi alfabetin e sotëm, alfabetin latin të gjuhës shqipe, alfabetin e civilizimit perëndimor.
Kongresi i Manastirit ka rëndësi politike dhe kulturore me reflektime shumëdimensionale. Por dy janë arritjet kryesore:
Është i rëndësishëm si akt historik që institucionalizoi alfabetin e gjuhës shqipe.
Është ngjarje e shënuar kulturore, – sepse përqafon alfabetin e modelit perëndimor, alfabetin latin.
Manastiri është Kryeqytet i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, pas njëqind vjetësh, ne jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit.
Jemi krenarë për atë frymë vizionare që qenien tonë kulturore e identifikoi aty ku e ka pasur gjithmonë vendin, historikisht, gjeografikisht, si popull me origjinë të lashtë dhe gjuhë indoevropiane, – në vlerat e kulturës perëndimore.
Alfabeti i gjuhës shqipe ka 36 shkronja. Në atë Kongres u mor qëndrim që ky alfabet ta ketë fatin, nderin dhe rolin e shkrimit dhe bërjes së historisë së shqiptarëve, nderin e përjetësimit të shkrimit shqip.
Miliona fjalë, fjali, mendime, akte të rëndësishme janë shkruar dhe do të shkruhen me këtë alfabet.
Me këtë alfabet shkruhen librat prej ABETARE-s deri tek sintezat më të rëndësishme filozofike, shkruhen librat e letërsisë, filozofisë, psikologjisë, libra të shkencave natyrore dhe libra akademikë.
Me këtë alfabet hartohen dokumente zyrtare, akte diplomatike, akte të larta – hartohen Kushtetuta dhe traktate të miqësisë.
Me alfabetin e Kongresit të Manastirit është bërë dokumenti i Mëvetësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Me alfabetin po këtij Kongresi është shkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Me të është shkruar liria e Kosovës. Është shkruar historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, historia e rezistencës civile, historia e çlirimit të Kosovës. Me të është krijuar aleanca me botën e përparuar demokratike, me demokracitë perëndimore, SHBA-të , BE-në, me NATO-n.
Me këtë alfabet, që prodhon kulturë të tolerancës dhe miqësisë me popujt fqinj është duke u njohur dhe pranuar çdo ditë e më shumë shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës.
Mbi logjikën dhe modelin e këtij alfabeti është njohur dhe pranuar pavarësia e Kosovës nga Republika e Maqedonisë, nga Qeveria dhe Parlamenti i saj, me ç’rast në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës shpreh mirënjohjen për popullin dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë.
Me këtë alfabet shkruhet edhe liria e shqiptarëve në Maqedoni. – Liria e fjalës, e shtypit, e komunikimit dhe ndërkomunikimeve, pavarësisht nga përkatësia kombëtare dhe fetare.
Me këtë alfabet do të shkruhet ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkanin e perspektives evropiane.
Me këtë alfabet do të shkruhet ardhmëria e vendeve tona, demokratizimi i rajonit dhe hapja e perspektivës për integrime euroatlantike.
Me këtë alfabet do të shkruhet gjuha e lirisë dhe respektimit të njëri tjetrit.
Dhe, më në fund, me këtë alfabet do të jemi pjesë e botës së përparuar.
Last modified: 22 Nëntor, 2008