Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi, në Forumin Evropa 2008 në Lubjanë të Sllovenisë

8 Maj, 2008

Kryeministri Thaçi: Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj
 
Jam krenar që udhëheq një Qeveri e cila është si profesionale ashtu edhe shumetnike: dy ministra të Kabinetit tim janë nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti turk, përfshirë edhe zëvendësministrat thuajse nga të gjitha komunitetet. Së fundi kam themeluar edhe Zyrën për Çështje të Komuniteteve, e cila do të më raportojë drejtpërsëdrejti dhe do të jetë një vend-ndalje e vetme për t’u marrë me problemet e përditshme të komuniteteve pakicë.
(Fjalimi i Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi, në Forumin Evropa 2008 në Lubjanë të Sllovenisë)
 
 
Shkëlqesitë e Juaja;
Zonja dhe Zotërinj;
 
Para së gjithash do të doja të falënderoj organizatorin, Westdeutscher Rundfunk, për ftesën që të marrë pjesë në një forum aq të respektuar mbi çështje evropiane. Për më tepër, dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian për mbështetjen e kësaj ngjarjeje. Vërtet, është kënaqësi të jesh këtu në mesin e një grupi të njerëzve aq të shquar të cilët kanë një qëllim dhe vizion të përbashkët për një Evropë të bashkuar, paqësore dhe të begatë.
 
Si kryeministër i Republikës së re të Kosovës, kam nderin e veçantë të kem mundësinë të shfrytëzoj këtë podium për të falënderuar të gjithë ju që jeni të pranishëm dhe të gjithë ata që nuk janë të pranishëm sot për kontributin e dhënë për paqe, stabilitet dhe demokraci në Kosovë dhe në rajon.
 
Si një akt final i shpërbërjes së dhunshme të ish Jugosllavisë, pavarësia e Kosovës, që tashmë është njohur nga shumica e vendeve anëtare të BE-së, NATO-s dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ka prodhuar qartësi dhe stabilitet për rajonin dhe është thellë e mishëruar në vlerat evropiane të tolerancës, respektit për të drejtat e pakicave, sundimin e ligjit, të cilat ne i ndajmë dhe kultivojmë.
 
Këto vlera të njëjta janë brumosur në Propozimin Gjithëpërfshirës mbi Statusin e Kosovës nga Presidenti Martti Ahtisaari, të cilat ne i kemi përqafuar dhe pranuar plotësisht dhe të cilat përmbajnë në vete, si frymën ashtu edhe plotësinë e dispozitave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare dhe evropiane për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, në veçanti të komunitetit serb.
 
Po ashtu ne kemi kodifikuar atë në ligjet tona dhe në Kushtetutën tonë të re dhe jemi të përkushtuar ta jetësojmë atë plotësisht dhe pa vonesë, sidomos në fushat si decentralizimi, veprimet afirmative, të drejtat pronësore dhe përfaqësim favorizues në qeveri për serbët. Kemi ndërmarrë hapa të vërtetë drejt sigurimit të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe shumetnike.
 
Të nderuar miq:
Zonja dhe Zotërinj:
 
Jam krenar që udhëheq një Qeveri e cila është si profesionale ashtu edhe shumetnike: dy ministra të Kabinetit tim janë nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti turk, përfshirë edhe zëvendësministrat thuajse nga të gjitha komunitetet. Së fundi kam themeluar edhe Zyrën për Çështje të Komuniteteve, e cila do të më raportojë drejtpërsëdrejti dhe do të jetë një vend-ndalje e vetme për t’u marrë me problemet e përditshme të komuniteteve pakicë.
 
Sfidat kryesore para nesh janë të integrojmë të gjitha komunitetet si në institucione ashtu edhe në shoqëri si dhe ta vëmë Kosovën në baza të shëndosha ekonomike që të do të joshnin investimet e huaja direkte aq shumë të nevojshme, të cilat pastaj do të krijonin vende të punës dhe kushte dinjitoze të jetesës për të gjitha komunitetet në Kosovë.
 
Ne i mirëpresim dhe i inkurajojmë investuesit nga Evropa që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.
 
Deri më tash, prioritetet e Qeverisë sime janë të themelojmë një kornizë ligjore solide, të forcojmë sundimin e ligjit dhe të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
 
Promovimi i kufijve të hapur dhe qarkullimit të lirë të mallrave, kapitalit dhe fuqisë punëtore po ashtu do të jenë prioritet i qeverisjes sime. Ne dëshirojmë që qytetarët tanë të jenë të lirë të udhëtojnë dhe të tregtojnë, fillimisht në rajon, e më vonë edhe brenda kufijve të BE-së. Në Kosovën e re, asnjë qytetar nuk do të ndjehet i diskriminuar. Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj.
 
Si një anëtar që aspiron të jetë anëtar i BE-së, ne jemi të përkushtuar të mbajmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë: Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe shpresojmë edhe me Serbinë në të ardhmen e afërt. Nuk do të ketë ndryshime të kufijve ose copëzim të Kosovës.
 
Ne veçse jemi duke punuar drejt bashkëpunimit dhe integrimit rajonal në të gjithë sektorët. Ne konsiderojmë se është koha që Kosova të jetë një shtet modern evropian dhe ne po punojmë shumë të përmbushim këtë synim.
 
Zonja dhe Zotërinj:
 
Misioni i KB ka bërë një punë të mirë duke ndihmuar ndërtimin e institucioneve demokratike pas luftës së vitit 1999. Tash është koha për të kaluar në një fazë të re. Me 15 qershor, Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi. Është një Kushtetutë moderne e shkruar duke pasur parasysh standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe qeverisjes demokratike.
Koha tashmë ka ardhur për ne, qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës, t’i marrim në dorë punët tona dhe të jemi përgjegjës për fatin tonë. Meqë kjo është mënyra e vetme që ne të rritemi si një shtet i pjekur dhe anëtar përgjegjës i familjes së kombeve të lira.
 
Bashkësia ndërkombëtare është e mirëseardhur për të mbikëqyrur dhe monitoruar përparimin tonë. Caku ynë është Bashkimi Evropian dhe BE-ja ka kapacitete për të hapur dyert për ne dhe shtetet e tjera evropiane që i ndajnë të njëjtat vlera. De fakto, Kosova edhe sot ndjehet si pjesë e BE-së dhe NATO-s. Mu për këtë ne kemi ftuar BE-në të dërgojë një mision në fushën e sundimit të ligjit për të na mbështetur dhe ndihmuar në ndërtimin e vendit tonë. Ne llogarisim shumë në mbështetjen e BE-së për të na ndihmuar ne ta vëmë Kosovën në baza të sundimit të ligjit. Evropa është e pranishme në Kosovë dhe e tillë do të jetë. Ne e mirëpresim praninë e tyre por koha po vjen që Kosova dhe të tjerët t’i bashkohen familjes së BE-së dhe të jenë të pranishëm në Evropë. Me anëtarësimin e Kosovës në BE, Evropa do të përfitojë edhe më shumë vlera.
 
Ajo çfarë na duhet tash, është ekonomia vendore, zhvillimi social dhe integrimi rajonal në frymën e integrimeve të BE-së. Evropa ka folur me një zë për Kosovën. Kjo e bën rolin e BE-së në Kosovë dhe në tërë rajonin të pazëvendësueshëm. E them këtë hapur dhe në emër të qytetarëve të Kosovës të cilët fuqishëm e mbështesin të ardhmen evropiane të Kosovës.
 
Popullata jonë është e re dhe ndërmarrëse. Ne veçse jemi duke investuar në arsim. Ne dëshirojmë të aftësojmë rininë tonë të marrë përsipër një rol aktiv në ekonominë globale. Rinia jonë sot është e ardhmja jonë, nesër do të jetë e ardhmja e Evropës. Shpresoj se me ndihmën e Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, ne do të mund të ndërtojmë kushtet e përshtatshme në Kosovë për të trajnuar dhe për të shfrytëzuar këtë potencial.
 
Shkëlqesitë e Juaja:
Zonja dhe Zotërinj:
 
Kosova është një rrëfim i suksesit jo vetëm për kosovarët por po ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Nuk mund të imagjinohet përparimi i arritur deri më tash pa rolin që ka luajtur Bashkimi Evropian në Ballkan, e në veçanti në Kosovë gjatë dekadave të fundit. Miliarda euro në formë të ndihmës, rindërtimeve dhe mijëra ushtarëve, policëve dhe ekspertëve civilë kanë qenë kyçe për kthimin e paqes si dhe ndërtimin e themeleve për institucione demokratike dhe zhvillim ekonomik.
 
Tash është koha të ngrihemi në këmbët tona dhe të dëshmojmë se ne mund t’i përmbushim ato që bota demokratike i pret prej nesh. Prania politike, ekonomike dhe e sigurisë e BE-së në rajon është e një rëndësie parësore për të ndërtuar mbi progresin që e kemi arritur bashkërisht derisa vendet e mbetura të Ballkanit të futen përfundimisht në gjirin e saj.
 
Reformat aq shumë të nevojshme, nganjëherë të dhimbshme, mund të bëhen vetëm nëse ato ndërtohen brenda kornizës së perspektivës evropiane. Megjithatë, për rajonin dhe Kosovën nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi pjesë e Evropës. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndërtojmë të ardhme të ndritshme për ne dhe brezat që vijnë.
 
Faleminderit!

Last modified: 8 Maj, 2008

Comments are closed.

×