Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit në promovimin e Programit Qeveritar mbi Parandalimin e ekonomisë joformale

15 Prill, 2008

Prishtinë, 15 prill 2008
 
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Kosovës ka përpiluar deklaratën e saj në lidhje me politikat prioritare të Qeverisë. Ato përbëhen nga katër shtylla:

  • rritja ekonomike,
  • zbatimi i marrëveshjes mbi statusin,
  • qeverisja e mirë, dhe
  • zbutja e varfërisë dhe stabiliteti social.

Zbatimi i këtyre politikave tashmë ka filluar.
Është e qartë se Kosova ballafaqohet me shumë sfida. Zbatimi i plotë i marrëveshjes mbi statusin është njeri nga prioritetet kryesor.
Sidoqoftë, shtetit i nevojitet një sistem i besueshëm financiar dhe ekonomi funksionale e tregut. Për këtë arsye është e rëndësishme të gjinden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale.

Zhvillimi dhe zbatimi efektiv i çfarëdo strategjie e cila promovon lëvizjen përpara nga aktivitetet joformale në ato formale është sfida kryesore. Kjo nuk duhet të nënvlerësohet. Kjo kërkon pjesëmarrje aktive dhe mbështetje të fortë të të gjithë partnerëve në shoqëri, punëdhënësve, sindikatave, administratave lokale si dhe disa ministrive dhe degëve të ndryshme të administratës publike.

Qeveria e Kosovës është e zotuar. Ajo do të identifikojë instrumentet dhe do të zbatojë masat të cilat janë të domosdoshme për të reduktuar ekonominë joformale dhe për të larguar korrupsionin. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës do të mirë pres tërë ndihmën e cila është në dispozicion nga AER-i dhe partnerët tjerë të huaj.

Parandalimi i ekonomisë joformale është një sfidë ndërkombëtare me të cilën duhet të ballafaqohemi së bashku. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës është e interesuar për të dëgjuar se çfarë janë rekomandimet e përgatitura së bashku nga ekipi i projektit të AER-it dhe autoritetet lokale.
 
Zonja dhe zotërinj,
Kosova ballafaqohet me shumë sfida ekonomike. Ka shkallën më të lartë të papunësisë dhe varfërisë në rajonin. Rritja mesatare e BPV-së (Bruto Produktit vendor) viteve të fundit ka qenë nën mesataren rajonale.
Çështja kryesore është shkalla e lartë e papunësisë, e cila vlerësohet të jetë rreth 30-40%, me rreth 40% të forcës punëtore të pakualifikuar. Kostoja e punës është shumë e lartë për shkak të produktivitetit të ulët të punëtorëve. Të hyrat për kokë banori konsiderohen të jenë më të ulëtat në rajon dhe si pasojë, kjo shoqërohet me një shkallë të lartë të varfërisë.
Autorë dhe publikime të shumta kanë llogaritur se ekonomia joformale e Kosovës është diku prej 39% – 50%, duke përdorur treguesit sikurse janë: numri i punëtorëve në ekonominë formale dhe joformale, numrin e ndërmarrjeve të cilat punojnë në sektorin formal dhe joformal dhe ngjashmërinë me shtetet tjera.

Vlerësimi i shkallës së ekonomisë joformale të Kosovës nuk është i lehtë. Problemi nuk është se nuk ekzistojnë të dhënat përkatëse, por problemi qëndron në pajtueshmërinë e të dhënave në mes të burimeve të ndryshme, sikurse janë: Enti i Statistikës i Kosovës, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, UNMIK-u, Agjencia Evropiane për Rindërtim, dhe Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës.

Sidoqoftë, ekonomia joformale, me pasojat e saj, sa i përket evazionit të tatimeve, çrregullimit të tregut të punës dhe konkurrencës jo të drejtë, është çështja kryesore në Kosovë, sikurse edhe është në shumë ekonomi tjera transitore.

Ekonomia joformale dobëson strukturat e shoqërisë, për këtë arsye shoqëria në përgjithësi duhet të jetë në dijeni për shkallën dhe ndikimin e këtij fenomeni. Pa këtë është vështirë të ndryshohen qëndrimet dhe të zbatohen masat e nevojshme për t’iu qasur këtij problemi social. Për këtë arsye edukimi i palëve të interesuara për këtë problem shoqëror është gjëja më e rëndësishme në luftën kundër ekonomisë së hirtë dhe të zezë.

Qeveria e Kosovës ka përpiluar deklaratën e saj në lidhje me politikat prioritare të Qeverisë. Ato përbëhen nga katër shtylla – rritja ekonomike, zbatimi i marrëveshjes mbi statusin, qeverisja e mirë, dhe zbutja e varfërisë dhe stabiliteti social.

Parandalimi i ekonomisë joformale, korrupsioni dhe format tjera të ekonomisë së zezë janë pjesë themelore të politikave prioritare të qeverisë. Kjo do të thotë se qeveria do të ndërmerr veprime të vendosura për të reduktuar ndikimin e këtij problemi social, në mënyrë që të:

  • përmirësojë mjedisin për biznes dhe investime;
  • tërheq dhe inkurajojë investime private kombëtare dhe ndërkombëtare;
  • sigurojë përfshirjen e sektorit privat në procesin e reformave;
  • reduktojë çrregullimin e tregut të punës dhe konkurrencën e padrejtë;
  • zhvillojë një sektor të fortë të ndërmarrjeve dhe ndërtojë një ekonomi tregu e cila funksionon mirë;
  • sigurojë zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e strukturave themelore të shoqërisë sikurse janë arsimi, kujdesi shëndetësor, rendi publik/siguria, rrjeti i transportimit dhe sigurimi social; dhe
  • luftojë korrupsionin dhe krimet tjera serioze dhe të organizuara.

Për të përmbushur këto kërkesa, Qeveria e Kosovës do të themelojë një Program Qeveritar i cili për cak ka Parandalimin e Ekonomisë Joformale sikurse edhe është rekomanduar nga ekipi i projektit të AER-it. Kjo është e domosdoshme meqë parandalimi i ekonomisë joformale është i lidhur me një sferë të gjerë të lëmive të ndryshme të shoqërisë dhe aktiviteteve të disa ministrive.

Aktivitetet duhet të koordinohen. Ky program duhet të jetë i përbërë nga:

  • vlerësimin e shkallës dhe ndikimeve të ekonomisë joformale në Kosovë;
  • zotimin qeveritar për t’iu qasur ekonomisë joformale;
  • objektivat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të programit;
  • përcaktimin e ministrive përkatëse dhe autoriteteve për zbatimin e aktiviteteve të ndryshme;
  • orarin e zbatimit; dhe
  • metodën për matjen e rezultateve konkrete të programit.

Qeveria po ashtu do të themelojë një Grup të Përhershëm Punues  Qeveritar për Parandalimin e Ekonomisë Joformale për të hartuar dhe koordinuar aktivitetet e përcaktuara në Programin Qeveritar për Parandalimin e Ekonomisë Joformale.

Ky grup punues do të koordinohet nga zyra e Kryeministrit dhe Z. Driton Qehaja do të emërohet kryesues i këtij grupi. Anëtar të grupit do të jenë, të paktën përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit, SHPK-ja dhe Doganat e UNMIK-ut.
Është po ashtu e rëndësishme që autoritetet operacioanle të shtojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve të tyre. Për këtë arsye SHPK-ja, Shërbimi Doganor, Zyra e Prokurorit Publik, Agjenci e Kosovës Kundër Korrupsionit dhe Administrata Tatimore të themelojnë një grup punues i përbërë nga agjenci të ndryshme për të zbatuar rekomandimet e ndërlidhura me parandalimin e krimeve financiare sikurse edhe është paraqitur nga ekipi i projektit të AER-it. Është e domosdoshme që grupi punues i nivelit Qeveritar të pasqyrohet në zbatimin e rekomandimeve në lidhje me autoritetet operacionale.
 
Zonja dhe zotërinj,
Parandalimi i ekonomisë joformale është një domosdoshmëri në Kosovë. Për këtë arsye Qeveria e Kosovës do të mbështet fuqishëm rekomandimet e paraqitura nga ekipi i projektit të AER-it. Qeveria do të dërgojë një mesazh të qartë se është e zotuar për parandalimin e korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë joformale.

Edhe një herë, dëshiroj të falënderoj AER-in për punën e bërë brenda kornizës së projektit.  Po ashtu kërkoj se duhet të organizohet një takim përcjellës diku kah fundi i gushit të vitit 2008 për të vlerësuar rezultatet e grupeve punuese.

Ju faleminderit!

Last modified: 15 Prill, 2008

Comments are closed.

×