Prishtinë, 9 janar 2009
I nderuari ministër Pajaziti,
I nderuari Drejtor i Përgjithshëm z. Ahmeti,
Të nderuar eprorë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Zonja dhe Zotërinj,
Jam i nderuar që në këtë ceremoni diplomimi më është dhënë rasti ta vlerësoj lart angazhimin e djemve dhe vajzave, eprorëve dhe zyrtarëve të policisë. Investimi ynë në njësi elite të Policisë së Kosovës vjen si rezultat i profesionalizmit të vazhdueshëm të Institucioneve tona dhe arritjes së kritereve të larta policore.
Sfidat e sigurisë, të cilat i kemi përpara, janë obligim i yni që të ofrojmë zgjidhje dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në çdo pjesë të territorit. Grupet e krimit të organizuar si dhe ato të interesuara për destabilizim të rendit kushtetues dhe sigurisë së qytetarëve, do të ballafaqohen me mekanizmat e shtetit ligjor.
Tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit do të jetë përgjigjja jonë ndaj të gjithë kundërshtuesve të rendit dhe ligjit.
Sundimi i ligjit tanimë është prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ne jemi të përkushtuar, me të gjitha kapacitetet në kuadër të MPB-së, e me theks të veçantë të Policisë së Kosovës, që të jemi në nivel të lartë të detyrës dhe të kemi një Kosovë të qetë e të sigurt.
Ata që provokojnë incidente dhe dhunë kudoqoftë në territorin e Republikës së Kosovës duhet të përballen me ligjin. Dhunës nuk do t’i përgjigjemi me forcën e dhunës por me forcën e ligjit. Kosova synon të jetë shoqëri e ligjit ku askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin.
Zonja dhe Zotërinj,
Paralelisht me ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore brenda Policisë së Kosovës do të angazhohemi në përmirësimin e kushteve të punës dhe ruajtjen e dinjitetit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës është edhe trajtimi me dinjitet i Policisë se Kosovës.
Me përkushtim do të vazhdojmë te punojmë në ngritjen dhe avancimin të mëtutjeshëm të Policisë së Kosovës, gjithnjë duke siguruar polici shumetnike, demokratike, me një zinxhir të vetëm komandues dhe në pajtueshmëri me praktikat më të avancuara ndërkombëtare.
Të nderuar zyrtarë,
Në këtë ditë të rëndësishme, ju ftojë ju që të dëshmoni përkushtim dhe angazhim në kryerjen e misionit tuaj. Vetëm një polici e përgatitur mirë dhe e përkushtuar në shërbim të të gjithë qytetareve të vendit, do t’na sigurojë të ndihemi të qetë tani kur jemi të pavarur dhe kemi përgjegjësi për sigurinë e vendit tonë. Vetëm ashtu do te sigurohemi për një te ardhme të sigurt për shoqërinë tonë, për fëmijët tanë. Në këtë drejtim do të keni përkrahjen time të parezervë.
Urime dhe suksese!
Last modified: 9 Janar, 2009