Zyra e Kryeministrit

Fjala e rastit e Kryeministrit të Qeverisës së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në Samitin për Politikat Evropiane

24 Qershor, 2008

Bruksel, 24 qershor 2008
 
Ju faleminderit Zotëri Merritt,
 
Me të vërtetë është nder të flas para këtij forumi të respektuar. Për më shumë se dy dekada, fati politik dhe ekonomik i Ballkanit ka qenë i lidhur ngushtë me përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta stabilizuar rajonin dhe për ta vendosur atë në rrugën drejt paqes, reformës dhe zhvillimit ekonomik. Miliarda Euro në ndihmë për rindërtim dhe mijëra ushtarë, policë dhe ekspertë janë dëshmi për dedikimin e BE-së në këtë rajon. Tash, pasi që konfliktet e tmerrshme i kemi lënë prapa, është koha për rajonin e Ballkanit që të afrohet me Bashkimin Evropian në një kornizë politike dhe ekonomike. Kërkohet guxim i madh politik dhe zgjuarsi që të bëhen hapat e nevojshëm për të realizuar reformat, që shpesh janë të dhimbshme dhe jopopullore. Por, nuk ka alternativë tjetër përveç udhës drejt Evropës.
 
Ndarja e dhunshme e ish Jugosllavisë pati si rezultat krijimin e shtatë shteteve të pavarura, e fundit prej të cilave ishte Kosova. Pavarësia e Kosovës solli qartësi në rajon, duke e hequr pengesën e fundit në rrugën drejt bashkëpunimit, integrimit dhe pajtimit. Një Kosovë e pavarur dhe demokratike do të jetë faktor i stabilitetit dhe paqes në rajon.
 
Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk nxiti fare dhunë ashtu siç e parashihnin disa. Përkundrazi, situata mbeti e qetë dhe nuk pati asnjë incident ndëretnik. Institucionet e Kosovës e përqafuan planin e Ahtisaarit, si në tekst dhe si frymë, dhe aprovuan një kushtetutë të re, moderne, që hyri në fuqi para një jave. Plani i Ahtisaarit është më i miri për bashkësitë në Kosovë. Disa nga dispozitat e tij për mbrojtjen e bashkësisë serbe, trashëgiminë e tyre kulturore dhe fetare në Kosovë, janë pa precedent. Qeveria multietnike e Kosovës, të cilën e udhëheq unë, është e vendosur për të zbatuar dispozitat e Ahtisaarit në tërësi, si dhe ta drejtojë Kosovën drejt një të ardhmeje me prosperitet më të madh në Evropë. Kosova ka marrë përkrahje të gjerë ndërkombëtare. Në njëqind ditët e para të pavarësisë, dyzet e tri shtete e njohën Kosovën, prej të cilave shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, dhe shtatë nga shtetet e grupit G8. Njohja, me siguri që do të rritet. Prioriteti ynë i menjëhershëm është të bëhemi anëtar i institucioneve ndërkombëtare financiare dhe ta zhvillojmë ekonominë tonë. Me kohë presim të sigurojmë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Një Kosovë stabile dhe e sigurt është në interesin e të gjithëve. Ligjet tona janë moderne dhe në harmoni me ligjiet e BE-së. Ne i mirëpresim investitorët nga Evropa. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë prosperitetin ekonomik që e meritojnë komunitetet tona.
 
Vendimi nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për të rikonfiguruar misionin e OKB-së në Kosovë dhe për t’iu përshtatur realitetit të ri është një lëvizje e mirëpritur. Ne do të bashkëpunojmë me përfaqësuesin special të ri të OKB-së për të jetësuar planin e rikonfigurimit i cili do të na mundësojë të gjithëve që të kalojmë në fazën e re. Ne e kemi ftuar dhe mirëpritur një Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dhe një mision të BE-së (EULEX-in) për të na ndihmuar ta përforcojmë sundimin e ligjit. Qeveria ime ka marrë përsipër të ketë zero tolerancë ndaj dhunës ndëretnike, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndihma e BE-së në këtë drejtim do të ketë rëndësi thelbësore.
 
Duke pranuar në tërësi planin e Ahtisaarit, ne kemi pranuar që Beogradi të ketë rol legjitim në ndihmën për serbët e Kosovës, por përmes një mënyre që është transparente për qeverinë e Kosovës. Fatkeqësisht, Beogradi ka zgjedhur që t’i minojë përpjekjet tona dhe ato të bashkësisë ndërkombëtare për të sjellë pajtim ndërmjet bashkësive. Ne mbesim me shpresë që qeveria e re në Beograd do ta çojë Serbinë drejt Evropës. Sa më afër që Serbia është me Evropën, aq më afër do të jenë serbët e Kosovës me Prishtinën. Ne përkrahim angazhimin e BE-së me Serbinë dhe e inkurajojmë perspektivën Evropiane për ta.
 
Ato elemente që janë përcaktuar që të fryjnë në flakët e frikës dhe mosbesimit duhet të dinë që ata dhe komunitetet e tyre nuk kanë çka të fitojnë nga kjo. Frika dhe mosbesimi nuk janë bazë e mirë në të cilën të ndërtohet një shtet multietnik. Megjithatë, zbutja e kësaj frike dhe ndërtimi i mirëbesimit do të marrë kohë. Por unë jam i përcaktuar që ta kthej këtë në drejtim tjetër. Dhe unë besoj në këtë detyrë jetësore – atë të ndërtimit të një shoqërie funksionale multietnike – që është e arritshme vetëm në një Kosovë të pavarur.
 
Sepse vetëm një Kosovë e pavarur do t’u japë qytetarëve të saj besimin që ta lënë të kaluarën prapa. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë ura të mirëkuptimit me bashkësinë serbe dhe t’i bëjmë ata pjesë të jetës sonë të përditshme.
 
Të drejtat e minoriteteve tashmë janë të mbrojtura në ligjet tona: ato janë pjesë përbërëse e të gjitha institucioneve tona, janë gur themeli i Kushtetutës sonë. Kjo nuk do të ndryshojë, por vetëm kjo nuk mjafton. Na duhet t’i thyejmë pengesat ndërmjet nesh në nivel personal.
 
Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe do të duhen vite që të arrijmë thellë në zemrat e njerëzve. Nga ana ime, unë jam i gatshëm të bëj çkado që duhet që ta bëj këtë realitet dhe ta çoj Kosovën drejt Evropës. Kemi nevojë për të gjithë përkrahjen e mundshme nga Bashkimi Evropian.
 
Ju faleminderit.

Last modified: 24 Qershor, 2008

Comments are closed.