Zyra e Kryeministrit

Fjala e ministres për Dialog, Edita Tahiri, në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës

26 Tetor, 2016

Prishtinë,  26 tetor 2016

I nderuar Kryetar i Komisionit, z. Reçica,
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Të nderuar pjesëmarrës

Ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në takimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të paraqes para jush rrjedhat dhe rezultatet e dialogut të Brukselit.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se dialogu i Brukselit është një dialog për fqinjësi të mirë dhe vlera e tij lidhet me aspiratën tonë euroatlantike dhe përkushtimin tonë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Evropë.
Ne konsiderojmë se marrëdhëniet paqësore mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë kanë mundësi të realizohen, por kusht themelor për këtë është njohja e ndërsjellë mes dy shteteve. Ky qëndrim bazohet në përvojat e vendeve tjera në botë të cilat kanë pasur luftëra mes vete dhe pas luftës kanë krijuar paqe mes vete duke njohur njëra tjetrën dhe duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra tjetrës.
Dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaftë të rëndësishme, mund të them edhe rezultate historike, ngase për herë të parë janë arritur marrëveshje të nënshkruara mes dyja shteteve të garantuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura fuqishëm nga SHBA.

Kosova edhe dy herë tjera ka bërë bisedime me Serbinë. Në Rambuje jemi përpjekur që të gjejmë zgjidhje paqësore, por Serbia në fund ka dështuar ta nënshkruaj marrëveshjen paqësore dhe si pasojë ka pasuar intervenimi i SHBA-ve dhe NATO-së, që rezultoi me çlirimin e Kosovës. Pastaj kemi biseduar edhe në kuadër të bisedimeve të Vjenës, që kanë qenë të fokusuara në statusin, gjë që edhe rezultoi me pavarësinë e Kosovës, sepse ne e nënshkruam marrëveshjen ndërsa Serbia përsëri dështoi që ta nënshkruaj atë.

Për mendimin tim, rëndësia dhe kontributi kryesor i këtij dialogu është ruajtja e tërësisë së tokës së Kosovës që është tokë shqiptare sepse ky dialog ka eliminuar pretendimet e Serbisë për ndarjen e Kosovës, të cilat kanë qenë prezentë që nga përfundimi i luftës më 1999. Kjo është arritur sidomos përmes Marrëveshjes së IBM-it, e para marrëveshje e nënshkruar mes dy shteteve, me të cilën është vendosur kufiri ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë dhe është bërë kthimi i autoriteteve shtetërore të Kosovës në pikëkalimet kufitare në veri të vendit, që Serbia i mbante peng që nga paslufta. Pastaj përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që ka mundësuar shuarjen e strukturave në fusha të rëndësishme deri te hapja e urës së Ibrit, e cila që nga përfundimi i luftës, ka qenë një urë ndarëse, e bllokuar me barrikada dhe logjika të barrikadave, dhe në gusht të këtij viti në saje të dialogut ne i dhamë fund kësaj, dhe ura tashmë ka nisur historinë e bashkimit të Mitrovicës dhe Kosovës.

Dialogu i Brukselit ka kontribuar në forcimin e sovranitetin shtetëror në gjithë territorin e vendit tonë, shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit të cenuar nga ndërhyrjet e Serbisë si dhe integrimin e serbëve të asaj pjese në sistemin shtetëror të Kosovës.

Dialogu i Brukselit ka afruar Kosovën me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, sepse Kosova ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asocim. Poashtu, së shpejti pritet një lidhje formale e marrëdhënieve Kosovë-NATO.

Një numër i madh i marrëveshjeve janë arritur deri më tani dhe pjesa dërmuese e tyre zbatohen nga të dyja palët. Mbeten edhe shumë të tjera të rëndësishme që presin zbatimin.

Marrëveshjet tjera të rëndësishme, që u bënë edhe model për rajonin ishin edhe vendosja e regjimit të lëvizjes së lirë përmes letërnjoftimeve, të cilën pastaj e zbatuan edhe vendet tjera në rajon. Njohja e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës, marrëveshja për tregti të lirë, marrëveshja e rëndësishme për bashkëpunimet rajonale. Pastaj kemi dialogun politik, i cili dha po ashtu një marrëveshje shumë të rëndësishme, atë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila adresoi çështjet e zhbërjes së strukturave paralele, integrimin e policëve në sistemin e Kosovës, shtrirjen e Policisë së Kosovës në veri të vendit, shuarjen e një strukture paramilitare të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile”, ish-pjesëtarët e së cilës i kemi integruar në institucionet e Republikës së Kosovës.

Kemi shuar strukturat paralele të drejtësisë dhe po e vendosim sistemin unitar të drejtësisë edhe në katër komunat veriore të Kosovës.  Në bazë të ligjeve të Kosovës, do të hapen Gjykata Themelore dhe Zyra e Prokurorisë, që do të funksionojnë për shtatë komuna ashtu siç e thotë ligji i Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës në programin e saj ka vendosur si prioritet strategjik çështjen e normalizimit të gjendjes dhe shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit në pjesën veriore të vendit. Progresi në këtë drejtim është substancial dhe i dukshëm.

Qeveria e Kosovës ka arritur të vendosë sovranitetin dhe ligjshmërinë në shumë fusha relevante, duke vendosur funksionimin e komunave legale, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, ku fal dialogut të Brukselit, katër komunat veriore morën pjesë për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës.

Shumë shpejtë do të vendosim një numër të madh institucionesh qendrore që kanë veprimtari lokale gjithsejtë 23 ministri dhe agjenci, ku përgatitjet e objekteve për vendosjen e zyrave janë në fazën finale.

Në muajin nëntor do të hapim zyrat në veri dhe do të fillojmë ti pajisim qytetarët me dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile, për të cilat kërkesa është e madhe. Tashmë taksat doganore janë duke u grumbulluar ndërsa kompanitë në veri janë regjistruar legalisht dhe fiskalizuar.

Duke konsoliduar sovranitetin shtetëror në tërë vendin, shteti jonë po forcohet në planin politik dhe të sigurisë, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.

Gjendja e sigurisë është përmirësuar dukshëm dhe mund të them se kemi të bëjmë me një gjendje të qetë dhe stabile, gjë e cila dëshmohet edhe përmes raporteve zyrtare të institucioneve përkatëse.

Poashtu, kemi ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar zhvillimin ekonomik duke akorduar një fond për zhvillim, duke marrë për bazë rrethanat atje, që demonstron përkushtimin tonë si Qeveri që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.

Këto përparime janë rezultat i angazhimeve maksimale të Qeverisë së Kosovës dhe të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Këto ndryshimeve pozitive janë rezultat i drejtpërdrejtë i dialogut të Brukselit, i cili ka mundësuar dhe po mundëson ndaljen e ndërhyrjeve të Serbisë përmes shuarjes së strukturave paralele, që kanë vepruar ilegalisht në vendin tonë që nga përfundimi i luftës.

Ne të gjithë e dimë se gjendja në veri të vendit nuk ka qenë e mirë për një kohë të gjatë që nga fundi i luftës. Këtë gjendje e kemi trashëguar nga UNMIK-u, i cili nuk arriti të shtrijë administrimin në veri dhe lejoi ndërhyrjet e Serbisë dhe strukturave paralele. Ne shpallëm pavarësinë e shtetit më 2008, mirëpo ishim të vetëdijshëm se një prej sfidave tona kryesore të shtetndërtimit ishte vendosja e normalitetit në veri të vendit.

Ne zgjodhëm rrugën e dialogut për të zgjidhur problemet e trashëguara në veri të vendit dhe me mençuri iu shmangëm rrugës së konfrontimeve, gjë që na mundësoi ta ruajmë tokën e Kosovës, integritetin territorial të shtetit tonë, përkundër kërcënimeve hegjemoniste të Serbisë për ndarjen e veriut e të Kosovës. Politikat tona ishin strategjike dhe vizionare, u përkrahën nga aleatët tanë, SHBA-të dhe partnerët evropian, të cilët janë sëbashku me neve në zhvillimin dhe forcimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

Ajo që vlerësoj më të rëndësishme, është që po ndryshon mendësia politike dhe gatishmëria e qytetarëve serb për të kuptuar dhe pranuar realitetin e shtetit të Kosovës. Çdo ditë e më shumë rriten kërkesa e tyre për tu bërë pjesë e sistemit të Kosovës.

Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, do të nisim ndërtimin e objekteve të përhershme të IBM-it, menaxhimit të  integruar të kufirit, të cilat do të financohen nga Bashkimi Evropian, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për IBM.

Në këtë fazë të dialogut, janë tre marrëveshje që mbeten të pazbatuara. Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik dhe marrëveshjen për pavarësimin e KOSTT-it, për të cilat Bashkimi Evropian është duke u angazhuar për zhbllokimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë kushtëzimet, se pa e marrë kodin telefonik nga ITU, që do të jetë 383, pa u pavarësuar KOSTT-i dhe pa shuarjen e plotë të strukturave të mbetura paralele, nuk do të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovës, sepse marrëveshja për asociacionin bazohet në ligjet e Kosovës. Statuti i asociacionin do të respektoj plotësisht vendimin e Gjykatës kushtetuese të Kosovës. Procesi i hartimit të statutit nuk ka filluar dhe nuk do të fillojë derisa të plotësohen kushtet tona. Ligjet e Kosovës lejojnë më shumë asociacione komunash në Kosovë dhe burimi i saj është te Plani i Ahtisarit i dalë nga bisedimet e Vjenës.

Një prej pyetjeve që vazhdimisht shtrohet është se a do të detyrohet Serbia ti zbatojë marrëveshjet e Brukselit, përgjigjja ime është po, sepse kapitulli 35 e detyron Serbinë ti zbatojë marrëveshjet, përndryshe Serbia do ta bllokojë rrugën e vet të integrimit evropian. Kapitulli 35 kërkon nga Serbia normalizim të marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën para se të anëtarësohet në BE.

Poashtu, dua të theksoj se gjithë marrëveshjet janë në pajtim me ligjet e Kosovës dhe në parimin e reciprocitetit. Marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve është e fundit në këtë listë e arritur më 14 shtator dhe do të fillojë së zbatuari së shpejti.

Në fazën e tretë të dialogut, që do të jetë fazë përmbyllëse do të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, ku do të trajtohen reparacionet e luftës, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, sukcesioni përkatësisht ndarja e pasurisë, si dhe do të ndodh njohje mes dy shteteve. Tema kryesore dhe e parë do të jetë çështja e të pagjeturve, ku kërkohet që Serbia të paraqes vendndodhjen e të pagjeturve që janë rreth 1600 persona.

Në përfundim, dua të theksoj se Kosova mbetet e përkushtuar për dialog sepse ne jemi të vetëdijshëm se kushti i fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e afron Kosovën me Bashkimin Evropian dhe mundëson jetësimin e vizionit tonë euro-atlantik.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Last modified: 26 Tetor, 2016

Comments are closed.