Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit Thaçi në Kuvendin e Kosovës

17 Shkurt, 2013

17 shkurt 2013

Fjala e Kryeministrit Thaçi në Kuvendin e Kosovës

E nderuara Presidente e Kosovës, znj. Jahjaga
I nderuar Kryetar  i Kuvendit, z. Krasniqi
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë
I nderuari president Nishani
E nderuar kryeparlamentare Topalli
I nderuari kryetar Rama
Të nderuar përfaqësues dhe lider të partive politike nga Maqedonia, Presheva, Mali i Zi

Të nderuar ambasador

Të nderuar deputetë,

Të nderuara familje të dëshmorëve

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar qytetarë të Kosovës

Para pesë vitesh,  këtu,  në këtë Kuvend, u kurorëzua dinjitetshëm ëndrra shekullore e  qytetarëve tanë, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Më 17 shkurt 2008 u themelua shteti i Kosovës me aktin më të lartë historik, juridik dhe politik, me Deklaratën e Pavarësisë, pra Kosova shtet i pavarur dhe sovran.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës aprovuan Dokumentin më të rëndësishëm historik të Kosovës.

Më lejoni të përshëndes deputetët firmëtarë të pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës para së gjithash e firmosën dhe e vulosën dëshmorët e lirisë, sakrifica e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Më 17 shkurt 2008 në gjeografinë politike të Evropës u lind një shtet i ri.

Më 17 shkurt 2008 Kosova mori atributin më të lartë të organizimit politik,  krijimin e shtetit të pavarur.

Më 17 shkurt 2008 Kosova institucionalizoi  organizimin më të lartë shoqëror, shtetësinë e saj.

Zonja dhe zotërinj,

Ky akt madhështor, origjinal dhe i papërsëritshëm i vullnetit të popullit ishte kryevepër e synimeve, idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të gjeneratave të tëra.

Por, këtë akt të jashtëzakonshëm e bëri madhështor fakti që u njoh, u mbështet dhe u përkrah nga shtetet më të rëndësishme të demokracisë botërore.

Pavarësia e Kosovës u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shumica e shteteve  të Bashkimit Evropian, dhe shtete tjera demokratike anembanë botës.

Pesë vjet më parë Kosova tregoi cilësitë e qytetarisë dhe vlerat e larta demokratike.

Kosova me shekuj ishte radhitur nga ana e lirisë, nga ana e qëndresës, dhe në një moment po zyrtarizohej gjithçka.

Prandaj sot shprehim nderim institucional dhe respekt të thellë për nënat , baballarët, motrat, vëllezërit, të rinjtë e të rejat, të vegjlit dhe pleqtë, që ranë për lirinë e Kosovës.

Nderojmë të gjithë qytetarët që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. nderojmë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. nderojmë rezistencën gjithë qytetarë.

Çmojmë, nderojmë dhe respektojmë jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari. Çmojmë, nderojmë e respektojmë jetën dhe veprën e presidentit Ibrahim Rugova.

Meritorë për pavarësinë e Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës. prandaj, sot çdo qytetarë i Kosovës kudo që jeton duhet të ndihet mirë dhe krenar me sakrificën e tij.

Një mirënjohje të lartë i drejtojmë sot diasporës sonë, kudo që jetojnë, në vendet e BE-së apo në ShBA.

Zonja dhe zotërinj,

Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i vullnetit gjithëpopullor dhe vizionaritet për realizimin e shtetkrijimit.

Lufta e drejtë dhe orientimi vizionar për çlirim bëri që Kosova ta ketë mbështetjen e fuqishme të botës së përparuar dhe demokratike.

Bota demokratike e mbështeti Kosovën në betejën për liri dhe pavarësi.

Ky orientim bëri që Kosova të jetë fitimtare morale, politike dhe ushtarake, duke u çliruar njëherë dhe përgjithmonë nga sundimi i huaj.

Me një vizion të qartë të orientuar nga vlerat e demokracisë perëndimore, Kosova u mbështet dhe u përkrah edhe në periudhën e tranzicionit demokratik, që përgatiti parakushtetet për shpalljen e Pavarësisë.

Ky orientim dhe drejtësia e çështjes së Kosovës, bëri që të fitohet beteja juridike edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e Shpalljes së Pavarësisë.

Prandaj,  sot,  në Pesë vjetorin e Pavarësisë shprehim mirënjohje të thellë për miqtë tanë, SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe gjithë botën demokratike, që ndihmoi dhe përkrahu Kosovën, që vazhdon ta ndihmojë edhe sot.

Zonja dhe zotërinj

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës

Brenda një periudhe pesëvjeçare Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve.

Që nga shtatori i vitit që shkoi Kosova hoqi Mbikëqyrjen e Pavarësisë suksesshëm, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj.

Kosova hoqi mbikëqyrjen pas një vlerësimi të lartë gjithë ndërkombëtar për suksesin në Kosovë. Kjo është emrit e të gjithëve, gjithë partive politike, gjithë qytetarëve të Kosovës.

Që nga periudha e pasluftës e deri tani Kosova, nga miqtë e saj,  me të drejtë  konsiderohet si storje e suksesshme e shtetndërtimit.

Brenda një periudhe të shkurtër Kosova ka shënuar rezultate të lakmueshme në të gjitha fushat.

Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe zhvillim të infrastrukturës, duke përmirësuar standardin e jetesës për të gjitha kategoritë shoqërore.

Kosova është njohur nga rreth 100 shtete. Presim shumë shpejt edhe njohje të reja.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës

Brenda një periudhe 14 vjeçare Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike:

Çlirimin dhe Pavarësinë.

Kosova mbi të gjitha është shtet që prodhon paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet në rajon.

Kosova, me ndërmjetësimin  dhe udhëheqjen e  Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-ve, ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, me besimin që së shpejti Pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga ky vend fqinj.

Kosova është në rrugë për përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euroatlantike në BE, NATO, dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Natyrisht, në tërë këtë proces, Kosova do të ballafaqohet me sfida, por jam i bindur se politika kosovare, bashkërisht dhe në koordinim të ngushtë me miqtë ndërkombëtar do t’ia arrijmë të realizojmë këto synime.

Në Pesë vjetorin e Pavarësisë, Kosova e re, evropiane, Kosova e shekullit njëzet e një është shtet me perspektivë të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, atdhe i gjithë qytetarëve të saj, shqiptarëve, serbëve, turqve, malazezve, kroatëve, romëve dhe gjitha komuniteteve që jetojnë.

Edhe njëherë, Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.