Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Thaçi në hapjen e Odës Ekonomike Britanike

8 Korrik, 2008

Prishtinë, 08 korrik 2008
 
I nderuar ambasador,
Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,
 
Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu prezent me rastin e hapjes se Odës Ekonomike Britanike.
 
Shfrytëzoj rastin për t’ Ju falënderuar për mbështetjen e pa rezervë për pavarësinë e vendit dhe njohjen e saj nga Britania e Madhe.
 
Megjithatë, mbështetja e Britanisë nuk ishte e lidhur vetëm me statusin por gjithashtu ajo ka të bëjë edhe me mbështetjen financiare dhe forma tjera të mbështetjes për zhvillim të Kosovës.
 
Kosova është një shtet i ri me spektër të gjerë të nevojave për zhvillim. Qëllimi ynë është që duke bashkëpunuar me partnerët tanë t’i realizojmë më shpejt prioritetet tona zhvillimore.
 
Ne kemi besim te miqtë tanë, në mes të cilëve, Britania ka një vend nderi të posaçëm.
Britania e Madhe ka një eksperience të jashtëzakonshme në mbarë botën, prandaj hapja e Odës Ekonomike Britanike, për ne është shumë e mirëseardhur. Kjo do të ndikojë që ne t’i identifikojmë mundësitë e reja të zhvillimit ekonomik, duke promovuar Kosovën si shtet të sigurt dhe atraktiv për investitorët e jashtëm.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Vizioni ynë për zhvillimin e Kosovës paraqet bazën për një Kosovën shtet të qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me principet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, mjedis multi-etnik, me përkushtim të plotë kundrejt integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik, përmes zbatimit të kritereve dhe me standardet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës.
 
Dhe për këtë Qeveria i ndan prioritetet në katër shtylla:
Zhvillimi ekonomik,
Zbatimi i marrëveshjes për zgjidhjen e statusit,
Qeverisja e mirë, dhe
Zvogëlimi i varfërisë dhe rritja e stabilitetit social.
 
Motoja jonë në vendosjen e këtyre prioriteteve ka qene dhe është që Kosova të jetë vendi më atraktiv për investimet e huaja në rajon e më gjerë.
 
Me lejoni t’u them se Qeveria e Kosovës ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambient te favorshëm për Biznes – konform standardeve të Unionit Evropian, ku respektohen ligjet, ku të drejtat dhe detyrimet pronësore njihen dhe pranohen nga të gjithë, dhe ku kemi një infrastrukturë ligjore tregtare, e cila e favorizon biznesin privat dhe atë publik.
 
Lufta kundër korrupsionit, reduktimi i ekonomisë informale, liberalizimi i procedurave të hyrjes në treg, hartimi dhe zbatimi i një pakoje masash inkurajuese për investitorët dhe modernizimi i sektorit financiar janë vetëm disa nga masat që kemi ndërmarrë, në mënyrë që ta bëjmë Kosovën vend atraktiv për investitorë, si ata vendorë, po ashtu edhe të huaj.
 
Të gjithë e dimë se zhvillimi i Kosovës nuk varet nga sektori publik por edhe nga performanca e komunitetit të biznesit privat. Pikërisht nga sektori privat do të gjenerohet ngritja dhe sektori privat është ai i cili do të jetë resursi për krijimin e vendeve të reja të punës. Dhe ne kemi nevojë për shumë vende të reja të punës.
Kosova ofron mundësi të shumta investimi:
Pasuri me resurse natyrore
Popullatë të re dhe të motivuar
Qasje të lirë në tregun e Unionit Evropian dhe tregjeve të vendeve fqinje
Kornizë ligjore moderne,  kompatibile me atë të BE-së.
 
Për këtë arsye ne kemi krijuar një ambient të përshtatshëm për investime, duke u ofruar investitorëve të huaj:
 
Trajtim kombëtar (Investitori i huaj trajtohet sikurse investitori vendor)
Garantim për përdorimin e pakufizuar të të hyrave
Procedurë të lehtë dhe të thjeshtë të regjistrimit të biznesit (brenda një dite)
 
Më lejoni ta përmbyll fjalën time duke thënë se Kosova ka nevojë për ekspertizën tuaj, andaj jeni te mirëseardhur e keni mbështetjen time.
 
Ju uroj punë të mbarë.
 
Ju faleminderit! 

Last modified: 8 Korrik, 2008

Comments are closed.

×