Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës

5 Prill, 2013

Prishtinë, 5 prill 2013

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin e fundit, që është zhvilluar në Bruksel, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit Thaçi:
 
Më lejoni që të falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqjen e saj të shkëlqyeshme të këtij procesi, për udhëheqjen brilante.

Falënderoj të gjitha shtetet e BE-së për qëndrimin e tyre unik në këtë përkushtim të Kosovës dhe të participimit edhe të Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje për fqinjësi të mirë, si para kushte për lëvizje përpara.

Falënderoj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për garancinë që kanë dhënë në këtë proces, që ka qenë një siguri për Kosovën, popullin e saj, për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Falënderoj edhe spektrin politik kosovar mbështetës të këtyre angazhimeve, që i ka pasur Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ne, drejtpërdrejt në takimin e Brukselit.
 
Kosova ka shkuar në të gjitha takimet shumë mirë e përgatitur, duke prezantuar argumentet e qëndrueshme.
 
Prandaj, sot pozicioni i Kosovës është një pozicion plotësisht në pajtueshmëri me qëndrimet dhe parimet e prezantuara edhe nga BE-ja, me mbështetje të plotë edhe të SHBA-ve.
 
Ne kemi prezantuar idetë tona kreative, që do të dërgonin drejt arritjes së një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve.
 
Delegacioni i Kosovës ka qenë i gatshëm dhe ka punuar për arritjen e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë i përgatitur, sepse ka pasur Kushtetutën dhe ligjet, ka respektuar Kartën evropiane dhe standardet evropiane.
 
Këtë proces e kemi marrë dhe kemi punuar seriozisht në mënyrë të ndërgjegjshme. Edhe takimi i fundit ka qenë një takim maratonik, jo i lehtë, që është përcjellë me prezantimin e argumenteve dhe kundërargumenteve nga të dy palët.
 
Natyrisht se janë këto ditë shtesë për konsulta të nevojshme deri në arritjen e marrëveshjes.
 
Kosova është e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes, që do të ishte në të mirën e Kosovës, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe evropianizimit të rajonit. Pra, një marrëveshje që nuk do të ishte vetëm në të mirë të Kosovës, por edhe të fqinjësisë së mirë, që do të ishte në interesin e lëvizjes përpara, drejt perspektivës edhe të Kosovës edhe të Serbisë, por që do të dërgonte mesazhin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
 
Prandaj, pavarësisht nga vështirësitë, që janë duke e përcjellë këtë proces, që kanë qenë edhe të pritshme dhe që janë krejt normale, ne shpresojmë në arritjen e marrëveshjes dhe dialogu mbetet alternativa e vetme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë.
 
Unë shpresoj në arsyen e të gjithëve, që të dominojë përgjegjshmëria, arsyeja politike dhe vendimmarrja për të ardhmen, mbi emocionet e së kaluarës.
 
Jam shumë i vetëdijshëm se këto vendime që do të merren në ditët e ardhshme, nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe institucione. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejt një vendimmarrje që u hapë perspektivë qytetarëve tanë, pa dallim etnik, një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për të mirë, jetën e qytetarëve tanë, që të realizojmë ëndrrën e tyre për një jetë më të mirë, për standarde euroatlantike dhe një bashkëpunim ndërfqinjësor të nevojshëm, domosdoshëm.

Ajo që është vonuar tash e 15 vite, vlerësojmë që duhet të arrihet tani dhe të mos humbasim kohë. Thjeshtë, duam që kjo mundësi të mos humbet, por të arrihet tek një vendim i pranueshëm dhe pastaj edhe i implementueshëm.
 
Siç edhe e dini, një nga çështjet më të rëndësishme që është diskutuar, ka qenë edhe mundësia e formimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili duhet të jetë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, nuk do të ketë kompetenca legjislative, ekzekutive apo të pushtetit të tretë; sistemi i drejtësisë do të jetë unik, sipas ligjeve kosovare në gjithë territorin e Kosovës;

Kosova do ta ketë një sistem policor, një zinxhir komandues, policia do të funksionojë sipas ligjeve kosovare dhe një hierarkie nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, do të ndodhë shpërbërja e plotë e strukturave ilegale të sigurisë, ndërsa do të krijohen rrethana dhe kushte për lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave edhe në veri dhe, gradualisht do të shkohet drejt organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në veri.
 
Institucionet e Republikës së Kosovës do të ftojnë OSBE-në për të krijuar rrethana lehtësuese, menaxhuese, pro edhe organizim të këtyre zgjedhjeve dhe pastaj ky rezultat zgjedhor të certifikohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës dhe nga këta kryetarë të komunave që do të dalin nga zgjedhjet komunale, të formohet ai asociacion, i cili do të luajë rolin e një mekanizmi plotësisht në përputhshmëri me angazhimet tona kushtetuese dhe ligjore.
 
Shpresoj se do të kemi një angazhim shtesë  edhe në këto ditë që kanë mbetur nga të gjithë faktorët relevantë, në mënyrë që të shkohet drejt arritjes së asaj për çka kemi punuar në këta gjashtë muaj.
 
Është jashtëzakonisht me rëndësi që Bashkimi Evropian, 22 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe pesë të tjera që janë në proces të njohjes, kanë qenë unik dhe qëndrimit të tyre dhe mbështetje të plotë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi; kanë qenë unik në mbështetje të baroneshës Ashton.
 
Dëshiroj të potencoj se arritja e marrëveshjes hapë një perspektivë të gjithanshme, një perspektivë që nuk do të mund të ndalet, që nuk do të mund të krijojë situata të tjera të ngrirjes së gjërave, por të lëvizjes progresive, lëvizjes përpara.
 
Në rast të mosarritjes së marrëveshjes, nuk do të ketë fitues, të gjithë do të jemi të dëmtuar.
 
Kështu që, edhe ne kemi qenë kreativ aq sa na ka lejuar Kushtetuta dhe ligjet tona, por në të njëjtën kohë është me rëndësi që interesi qytetar i të gjithëve pa dallim etnik, interesi për të ardhmen evropiane të vendeve tona, interesi për ngadhënjimin e vlerave euroatlantike, të dominojë si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, në mënyrë që të mos mbesim peng në vendimmarrje të politikave ditore, të politikave elektorale, por, vendimmarrja të jetë në interesin e vendeve dhe gjeneratave të ardhshme dhe në asnjë rrethanë të mos mbesim viktimë e së kaluarës.
 
Në këtë drejtim, shpresoj se në ditët e ardhshme do të kemi edhe lëvizje pozitive, që do të përafrojnë qëndrimet dhe arritjen e marrëveshjes.
 
Nuk ka qenë e lehtë për ne në Prishtinë, nuk ka qenë i lehtë ai dialog, ato debate, por besojmë në një vizion të së ardhmes, që do të çojë drejt konsolidimit të Kosovës, funksionalizimit të tërë sistemit shtetëror në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës dhe përshpejtimit të integrimeve evropiane për Kosovën.
 
Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me gjithë spektrin politik, për çka do të shihemi edhe për shkak të reformës elektorale. Me disa prej liderëve veç kam diskutuar dhe janë mbështetës.
 
Do ta kemi edhe një prezantim dhe informim për ambasadorët e BE-së sot, ndërsa, do të bëjmë kërkesën për një informatë apo raport në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë transparent, siç ka qenë deri më tani.
 
Dje kam informuar presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Jahjaga; edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile kemi diskutuar dje dhe do të diskutojmë me të gjithë njerëzit  që duan dhe janë të interesuar të diskutojnë.
 
Falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre, falënderoj edhe për debatin që kemi zhvilluar, për sugjerimet.

I kuptoj edhe shqetësimet dhe i marrë shuam seriozisht, por i siguroj  të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se vendimi që do të merret do të jetë vendim për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve të Kosovës, mbi interesat partiake, mbi interesat e politikës ditore.

Dhe, ky vendim që do të merret, do të jetë plotësisht në përputhshmëri edhe me angazhimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe Kosova do ta ruajë atë partneritet si sot, nesër, siç e ka pasur dje, si dhe në të ardhmen, sepse është rruga e vetme, pra, stabilizimi i Kosovës, zhvillimi i Kosovës, rendi dhe ligji, ngritja e mirëqenies sociale të qytetarëve, lëvizja drejt integrimeve. Kjo mund të arrihet vetëm duke krijuar stabilitetin në Kosovë, një rrethanë çfarë ne do të dëshirojmë që Kosovën ta kemi atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.

Last modified: 5 Prill, 2013

Comments are closed.